Në Aeroportin e Brukselit, situata mbetet e ndërlikuar: linjat ajrore kanë anuluar 44 nga 257 fluturimet e planifikuara për sot. Një zëdhënës i aeroportit njoftoi anulimin, duke shpjeguar se problemet teknike janë rezultat i drejtpërdrejtë i një sulmi kibernetik ndaj ofruesit të shërbimit të regjistrimit dhe imbarkimit.
Është vendosur staf shtesë për të menaxhuar vështirësitë, por problemet vazhdojnë të ndikojnë në operacionet e përditshme. Regjistrimi ende po trajtohet manualisht, gjë që në mënyrë të pashmangshme çon në vonesa, me kohë të gjata pritjeje dhe vonesa në nisje.
Drejtuesit e aeroportit iu kanë kërkuar pasagjerëve të ndjekin disa rregulla praktike për të minimizuar shqetësimet:
Kontrolloni gjithmonë statusin e fluturimit tuaj në faqen e internetit ose përmes linjës ajrore, ejani në aeroport vetëm nëse nisja juaj është konfirmuar dhe nëse është e mundur, kryeni regjistrimin online para se të mbërrini në aeroport.
Kaosi nisi një ditë më parë kur një sulm kibernetik ndaj një ofruesi shërbimesh aeroportuale shkaktoi ndërprerje në disa aeroporte europiane, përfshirë aeroportin Heathrow të Londrës. Në një deklaratë të shpërndarë dje, drejtuesit e këtij aeroporti njoftuan:
Collins Aerospace, që ofron sisteme regjistrimi dhe imbarkimi për një sërë linjash ajrore në shumë aeroporte anembanë botës, po përjeton një problem teknik që mund të shkaktojë vonesa për pasagjerët që nisen. Ndërsa ofruesi është i përkushtuar për ta zgjidhur shpejt problemin, ne i këshillojmë pasagjerët të kontrollojnë statusin e fluturimit me linjën e tyre ajrore, edhe më para se të nisen. Ju lutemi të mbërrini jo më herët se tre orë para për një fluturim të gjatë ose dy orë më herët për një fluturim të brendshëm.
Po nga dje, sulmi kibernetik preku edhe aeroporte të tjera, përfshirë atë të Berlinit krahas Brukselit. Ja çfarë njoftuan autoritetet belge më 20 shtator:
Regjistrimi dhe ngjitja në bord aktualisht janë të mundura vetëm manualisht. Ofruesi i shërbimit po punon në mënyrë aktive për të zgjidhur problemin dhe po përpiqet ta zgjidhë sa më shpejt të jetë e mundur.
Udhëtarët u paralajmëruan në lidhje me “vonesat dhe anulimet”. Në Gjermani, dje Aeroporti i Berlinit postoi këtë njoftim:
Ne i këshillojmë pasagjerët të kontrollojnë statusin e fluturimit me linjën ajrore përpara se të mbërrijnë në aeroport dhe të vijnë vetëm nëse fluturimi i tyre është konfirmuar. Për shkak të një problemi teknik te një ofrues sistemesh që operon në të gjithë Europën, kohët e pritjes për regjistrim janë më të gjata. Ne po punojmë për një zgjidhje të shpejtë.
Po në Gjermani, u konfirmua se Aeroporti i Frankfurtit nuk u prek nga sulmi kibernetik.