Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi lidhur me armëpushimin 10-ditor të shpallur mes Izraelit dhe Libanit, të ndërmjetësuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Shqipëria e mirëpret këtë zhvillim si një hap konstruktiv dhe të nevojshëm drejt uljes së tensioneve në rajon, si dhe për parandalimin e humbjeve të mëtejshme të jetëve njerëzore.
Tirana zyrtare thekson rëndësinë e respektimit të plotë të armëpushimit nga të gjitha palët e përfshira.
Në mënyrë të veçantë, nënvizon se Hezbollah duhet të ndërpresë çdo veprim armiqësor ndaj Izraelit dhe të veprojë në përputhje me vendimet dhe autoritetin e qeverisë libaneze.
Autoritetet shqiptare, gjithashtu shfaqin shpresën se ky armëpushim do të krijojë kushte të favorshme për një dialog kuptimplotë mes palëve, duke kontribuar në një ulje më të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse të tensioneve.
Shqipëria inkurajon të gjitha palët e përfshira, si dhe partnerët ndërkombëtarë, që të ndërtojnë mbi këtë moment e të bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar për arritjen e një paqeje të sigurt dhe afatgjatë në rajon.