Rajoni

Çështja e dinarit përplas Kosovën dhe Serbinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së!

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kurti-Vuçiç shkëmbyen  akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë. Ndërkohë, ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, i cili kërkoi seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për të diskutuar mbi zhvillimet në Kosovë, akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po pamundëson jetën e serbëve që jetojnë atje.

Institucionet e Kosovës kanë krijuar kushte të padurueshme të jetesës për serbët dhe tani po ndërmarrin sulme gjithëpërfshirëse, sistematike kundër civilëve serbë, si dhe po i përndjekin. Një situatë e tillë, në mungesë të një reagimi të duhur mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Ata varen nga mbështetja financiare e buxhetit të Serbisë për pensionet dhe shërbimet e tjera bazë, përfshirë të kujdesit mjekësor e social, si dhe të arsimit.

Vendimi për heqjen nga qarkullimi të dinarit është goditje e drejtpërdrejtë ndaj mbijetesës së serbëve dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Eshtë pikërisht krijimi i kushteve të padurueshme të jetesës dhe mohimi i mundësisë për të mbijetuar që ka për qëllim regjimi në Prishtinë, i cili përmes akteve të tilla te dhunës strukturore po intensifikon sulmet sistematike kundër popullatës serbe. Ato janë të mirëplanifikuara me vite dhe përmes tyre ka nisur përndjekja e hapur e serbëve në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, i cili për herë të parë mori pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i hodhi poshtë si “të pavërteta” akuzat e Vuçiçit e tha se institucionet e Kosovës do të sigurojnë një tranzicion për serbët atje rreth përdorimit të dinarit serb.

Beogradi po i bie këmbanës për shkak se po ndalojmë thasë parash në kufi. Po ankohen jo për shkak se janë të brengosur për fatin e serbëve të Kosovës, por për shkak se është gati t’iu mbyllet kanali fitimprurës i parasë së jashtëligjshme në veri të Kosovës.

Kurti akuzoi Serbinë se po sillet si “Kali i Trojës i Kremlinit” në rajon dhe shtoi:

Në asnjë mënyrë, rregullorja nuk ndalon dhe as nuk pengon qeverinë e Serbisë që t’i japë përkrahje financiare serbëve të Kosovës. Çfarëdo pretendimi për të kundërtën nuk është asgjë më shumë se propagandë e rreme që ka për qëllim të nxisë tensione etnike. Beogradi nuk mund të lejohet pafundësisht të financojë kriminelët dhe terroristët e tij në Kosovë me shuma parash që qarkullojnë lirshëm dhe jashtëligjshëm në vendin tonë.