Aktualitet Live From Tirana

Pëllumb Pipero: “Fundi i kësaj pandemie ka filluar…”!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike mjeku Pëllumb Pipero për të na folur rreth situatës së COVID-19 në vend. Si është në fakt situata sipas Piperos?

Kemi më shumë numra të personave të infektuar por më pak numra të njerëzve të sëmurë. Po qarkullon në vend varianti i ri i COVID-19, Omicron i cili është manifestuar me transmetueshmëri më të lartë sesa Delta apo paraardhësit e tij. Kemi më pak raste të rënda dhe kryesisht rastet e rënda të shtruar në spital i përkasin personave të pavaksinuar. Është e dëshmuar avantazhi i madh që jep vaksinimi në raport me personat e pavaksinuar kryesisht për ata që sëmurën dhe ata që kalojnë forma të rënda. Statistikat tregojnë se aktualisht personat që edhe kanë kërkuar ndihmë spitalore pothuajse gjysma e tyre nuk kanë pasur nevojë për oksigjen, pra flasim për personat e vaksinuar. Personat e pavaksinuar dhe me sëmundje bashkëshoqëruese kanë patur probleme.

Çfarë gjykimi ka Pipero në lidhje me teoritë konspirative kundër vaksinimit?

Te ne teoritë konspirative kundër vaksinimit kanë zënë vend. Ka shumë njerëz skeptikë kudo në botë, unë ndeshem përdit me ta. Por si mjek e kam të vështirë të gjejë një argument bindës për të mos e bërë vaksinën ndërkohë që ka me qindra argumente për ta bërë vaksinën. Vaksinimi në kohë pandemie është detyrim moral, njerëzor edhe për personat që të rrethojnë. Unë si mjek që i kam bërë vaksinat e vetmja këshillë që i jap qytetarëve është që të vaksinohen një orë e më parë.

A beson Pëllumbi që COVID-i është në fundin e tij?

Unë personalisht dhe bazuar në gjetjet e kolegëve dhe shkencëtarëve në botë e kam konsideruar Omicron-in si fillimin e fundit të kësaj pandemie për shumë arsye. Së pari ka shumë mutacione dhe si i tillë imuniteti që e shkakton është shumë i gjerë. Së dyti po prek një numër të lartë qytetarësh në kohë të shkurtër dhe mundësia që ne të imunizohemi është e lartë. Është e vështirë që personat e pavaksinuar të shpëtojnë nga Omicron-i. Madje kemi edhe infektime edhe nga personat e vaksinuar por shumë pak ose aspak sëmundje. Omicron-i jep një gjendje klinike relativisht të lehtë. Fundi i kësaj pandemie ka filluar dhe besoj që pranvera dhe vera e këtij viti do të na gjejë më të relaksuar dhe fundi i këtij viti do të jetë edhe fundi i kësaj pandemie.