“Que miras bobo”, apo në shqip “çfarë po shikon budalla?”, ishte një frazë me të cilën Lionel Messi ishte komentuar shumë disa vite më parë, pas një diskutimi me dikë në një konferencë shtypi. Megjithatë, ky term është rikthyer sërish në vëmendje, pasi Cristiano Ronaldo e tha të njëjtën frazë së fundmi gjatë një bashkëbisedimi me Georgina Rodriguez.
Teksa bisedonin mes tyre, partnerja e tij, i tha në formë shakaje: “Çfarë budallai je!”. Me t’iu kthyer në mendje, Ronaldo përsëriti frazën e famshme të Messit: “Çfarë shikon budalla?”.
Pas kësaj, Georgina e cila ishte ulur pranë yllit portugez, filloi të qeshte. Videoja në të cilën bashkëbisedonin dyshja, ishte publikuar në kanalin zyrtar të Ronaldos. Fraza, të cilën e përmendi ai, u bë virale menjëherë, ku shumë spekuluan se po imitonte Messin.
Që pasi futbollisti i njohur Cristiano Ronaldo vendosi që të hapte kanalin e tij në YouTube, shumë momente nga videot e tij janë bërë virale në rrjetet sociale. Kujtojmë këtu momentin kur pyeti Georginën se pse është kaq e bukur dhe ajo u përgjigj duke thënë sepse shihet nga sytë e dashurisë së partnerit të saj. Por së fundmi një tjetër video është bërë mjaft virale, ka bërë xhiron e rrjetit dhe e kemi fjalën për momentin kur gjatë një bashkëbisedimi me fëmijët e tij, futbollisti legjendar i pyet se kush sipas tyre është personi më i famshëm që ata njohin. Megjithatë, përgjigjja e tyre habiti edhe vetë Ronaldon, pasi siç duket nuk ishte ajo se çfarë ai priste. Fëmijët thanë se personi më i famshëm që ata njohin është nëna e tyre, pra Georgina Rodriguez, njëherësh partnerja e yllit portugez.