Aktualitet

Deklaratë e Ministrisë së Brendshme për sulmin kibernetik iranian ndaj sistemit TIMS!

Pasi nga mbrëmë rreth orës 22:00, një tjetër sulm kibernetik nga Irani ka paralizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë: në Kakavijë, Kapshticë, Qafë Botë, Qafë Thanë, portin e Durrësit dhe atë të Vlorës, sapo reagoi Ministria e Brendshme. Ky dikaster bën të ditur se shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë, si dhe konfirmon se po punohet për më shumë siguri të sistemeve tona digjitale.

Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik. Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë. Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacënueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal. Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë. Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast.

Goditja e sistemit TIMS bëri që policia të hapë regjistrat duke punuar manualisht, për shmangien e radhëve të gjata e të vonesave në pikëkalimet kufitare të vendit. Ky është i dytë sulm kibernetik iranian ndaj Shqipërisë, pasi Irani na goditi shërbimet online, në mes të muajit korrik. Më herët gjatë ditës, në një postim në Twitter reagoi edhe kryeministri Edi Rama, duke konfirmuar se sërish qëndron Republika Islamike e Iranit, vend me të cilin Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike e urdhëroi largimin e menjëhershëm të ambasadës së Teheranit nga vendi ynë.