Showbiz

Demi Lovato thotë se ishte shumë pranë vdekjes pas mbidozës së drogës në vitin 2018

Demi Lovato thotë se pa vdekjen me sy pas mbidozës së drogës në 2018-ën. Në një dokumentar të ri, ylli amerikan i muzikës pop zgjedh të tregojë për momentet e vështira kur siç shprehet, pësoi tre goditje cerebrale e një infarkt kardiak. Pasojat vazhdon t’i vuajë dhe sot për shkak se mbidoza i ka lënë dëmtime në tru, si dhe vështirësi në shikim çka e pengon të drejtojë makinën.

28-vjeçarja Lovato tregon se mjekët nuk i dhanë më shumë se 5 apo 10 minuta jetë pasi rreth tre vjet më parë u gjet në gjendje kritike në shtëpinë e saj në Los Angeles dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Betejën me varësinë nga droga e përshkruan në 4 seri të dokumentarit “Dancing With The Devil” e që e ka premierën në YouTube më 23 mars. Këngëtarja e hiteve si “Sorry Not Sorry” dhe “Heart Attack” shprehet se “ashtu si macet ka shumë jetë e tashmë po jeton të 9”-ën. Përgjatë karrierës, këngëtarja dhe aktorja amerikane ka folur në mënyrë të hapur për problemet e shëndetit mendor e varësitë nga lëndët narkotike dhe alkooli.