Celebrities Film & Tv Live From Tirana

“Do ta ndjek ligjërisht…”/Humbi pozicionin e saj të punës për shkak të pjesëmarrjes në DWTS, Arnita Beqiraj ka dy fjalë për këtë!

E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë Arnita Beqiraj, një nga konkurrentet në gjysmëfinale në show-n e kërcimit “Dancing With The Stars”. Ajo na rrëfeu emocionet e saj në këtë rrugëtim deri më tani, por jo vetëm…

Javën e kaluar pate një kërcim me balerinin tend Enin dhe një me partnerin tend, Arbër Çepanin. Cila ka qenë vështirësia për ty?

Vështirësia qëndronte sepse ka qenë një javë që nuk kam qenë mirë. Nuk jam ushtruar dot si zakonisht dhe kishte shumë tension. Unë dhe Arbri jemi dy natyra të ndryshme. Ai kishte shumë tension dhe përveç emocioneve të mia, duhet të menaxhoja dhe të tijat. Por unë jam shumë e lumtur për atë performancë.

Me pak fjalë, si do ta përshkruaje rrugëtimin tend deri në këtë pike?

Dinamik, i lodhshëm, dhe i dashurueshëm.

Si kanë qenë komentet që ka marrë Arnita nga publiku apo edhe nga konkurrentët e tjerë?

Feedback-un e kam pasur shumë të mirë. Njerëzit vlerësojnë natyrën time që nuk vjell vrer tek të tjerët, edhe kur janë bërë batuta të ndryshme nga konkurrentë të tjerë. Kam vendosur t’i anashkaloj këto sipas mënyrës sime. Ka pasur batuta që nuk më kanë pëlqyer, por kanë të bëjnë me karakterin e njeriut. Unë i jap vlerë njeriut që i thotë, kështu që nuk më kanë mbetur tek unë. Nuk kam pasur komente negative nga publiku, por jetojmë në një botë të lirë dhe mua kjo nuk më ndikon. Kurse komente pozitive ka pasur plot dhe janë mesazhe që i vlerësoj shumë.

Moderatori Eni Shehu bëri me dije se “Dancing With The Stars” në një pikë ka interferuar me punën e Arnitës dhe ajo ka humbur pozicionin e saj si regjisore në RTSH. Çfarë ka Arnita për të thënë mbi këtë?

Po, kjo është e vërtetë. Nuk mendoj që ka qenë vetëm prej “Dancing With The Stars”. Unë kam pasur një situatë jo profesionale dhe të shëmtuar, e cila më pas është agravuar pas pjesëmarrjes sime në DWTS. Është një situatë që unë kam vendosur ta ndjek ligjërisht. Besoj se do t’i shkoj deri në fund.

A do t’i pëlqente Arnitës të ishte në ekran në rolin e prezantueses?

Kam filluar ta konsideroj rikthimin tim në ekran këto kohët e fundit. Nga “Dancing With The Stas” më janë rikthyer të njëjtat emocione sepse çdo javë dalim para kamerave. Ka disa formate që i kam në kokë dhe nuk e di nëse mund ta them një tani sepse jam shumë supersticioze.