Gossip Showbiz

Dramat mbi jetën e Britney Spears vazhdojnë, por diçka e mirë duket se po vjen!

Jeta e Britney Spears është kthyer tashmë në fokusin e mediave rozë. Së fundmi, avokati i ri i saj, Matthew Rosengart, i ka kërkuar një gjykate në Los Angeles që të caktojë një kujdestar të ri mbi pronën e këngëtares dhe në të njëjtën kohë të parandalojë babanë e saj, Jamie Spears, të disponojë pronat e yllit amerikan.

Në një proces gjyqësor, avokati kërkoi që llogaritari Jason Rubin të caktohet si personi që do të kujdeset për pasurinë e Britney-t në vend të babait të saj. Ndërkaq, Rosengart ka depozituar një peticion publik duke kërkuar që babait të këngëtares së famshme t’i pengohet hyrja në pronë pas 13 vjetësh që në fakt është hapi i parë që avokati premtoi të merrte pas marrjes së detyrës.

Tani për tani, detajet e vetë peticionit, si dhe kërkesa e avokatit të ri, nuk janë të njohura për publikun e gjerë. Rosengart në një deklaratë për mediat ka shprehur se:

Nëse Jamie e do vajzën e tij, atëherë do ta kuptojë se është koha të tërhiqet në mënyrë që ajo të mund të ketë një jetë të shëndetshme dhe produktive.

Edhe pse Britney Spears ka zhvilluar një betejë ligjore kundër babait të saj për shumë vite, për herë të parë në 13 vjet, ylli amerikan është lejuar ta zgjedhë avokatin për ta përfaqësuar atë në këtë çështje.

Mbështetja publike për këngëtaren u rrit veçanërisht pas dëshmisë, në të cilën e quajti pozicionin e babait të saj plotësisht të dhunshëm dhe poshtërues. Spears deklaroi se qëllimi i saj përfundimtar është heqja e plotë e kujdestarisë, ndërsa deklaroi gjithashtu se nuk ka në plan të performojë për sa kohë që babai i saj ia kontrollon jetën dhe karrierën.

Rikujtojmë, se Britney mori mbështetje nga shumë kolegë të saj, përfshirë këngëtaren Christina Aguilera, ish-të dashurin e saj Justin Timberlake si dhe nga partneri aktual i saj Sam Asghari. Gjithashtu, reperja Iggy Azalea, ka deklaruar se ajo ka qenë dëshmitare e sjelljeve abuzuese të babait të këngëtares.

Megjithatë, njerëzit pranë saj, duke përfshirë këtu menaxherin e Britney Spears, Larry Rudolph ka vendosur të japë dorëheqjen. Sipas mediave, ai ka kërkuar të dalë në pension dhe është shprehur se nuk dëshiron të jetë i përfshirë në çështjen e kujdestarisë. Edhe avokati, Samuel D. Ingham III, kërkoi të japë dorëheqjen nga çështja e saj e kujdestarisë.