Që prej nëntorit të vitit 2020, 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga prilli 2023, kur nisi dhe procesi gjyqësor, sot ishte hera e 3-të që ata merrnin fjalën për të dëshmuar pafajësinë.
Në deklarimet e secilit u bërtit me të madhe lufta për liri, pafajësia, Kosova e pavarur, masakrat nga regjimi serb dhe krenaria për UÇK. Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ashtu si dhe të tjerët, tha me bindje, se po të kthehej pas në kohë do të bënte të njëjtën gjë për popullin e tij që prej vitesh vuante në kurriz dorën e hekurt të Slobodan Millosheviç.
Hashim Thaçi iu drejtua prokurorisë duke thënë se ishte ofenduese akuza se ai ka pasur si qëllim marrjen e kontrollit të pavarësisë.
“Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht kur gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë dhe ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do ta shihja familjen time, lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovën e pushtuar për rreth 90 vite”, tha Thaçi.
Ish-presidenti i Kosovës tha se e gjithë situata në rajon, ka qenë produkt i Slobodan Millosheviç, madje dhe vetë populli serb ka qenë viktimë e tij. Thaçi tha se prokurorët po injorojnë të vetmin fakt të vërtetë, se lufta e UÇK kishte për qëllim vetëm çlirimin e Kosovës. Thaçi tha se masakrat serbe, lanë pas trauma, ndenjën e zemërimit dhe të hakmarrjes.
Kadri Veseli në deklaratën e tij tha se ka dëshiruar gjithmonë një jetë normale, por ishte e pashmangshme pasi në atë kohë iu mohua çdo e drejtë dhe se nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vuajtje që po përjetonte populli i tij. Kadri Veseli kërkon pafajësinë ndërsa thotë se asnjë akuzë ndaj tij nuk është provuar dhe se i ka shkërbyer vendit të tij për liri.
“I kam shërbyer vendit tim që të gjithë ta njohin të vërtetën. Në momentet më të errëta s’e humba kurrë besimin se liria dhe e drejta do të triumfonin. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. U përfshiva për të jetuar si qytetar i lirë dhe i barabartë. E vërteta s’ka arsye të ketë frikë nga drejtësia.”, tha ndër të tjera Veseli.
Rexhep Selimi tha se akuzat e prokurorëve po njollosin historinë e shtetit të Kosovës që nuk mund të rishkruhet nga e para në tribunalin e Hagës. Selimi tha se lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë, organizatë që u krijua nga nevoja dhe jo dëshira për luftë. Ai tha se të shumë ishin ata që kanë humbur jetën dhe duke siguruar armë, jo për të sulmuar civilët e pafajshëm apo dhe kundërshtarët, por për të mbrojtur tokën e tyre.
“UÇK nuk u krijua nga dëshira, por nevoja. Nuk ishte aventurë, por mbijetesë. Unë isha pjesë e një ushtrie 100% vullnetare, nga njerëz që u detyruan të merrnin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër. Shumë shokë të mi kanë vdekur duke siguruar armë. Prokuroria në dosjen e saj kërkon dënimin të rënda. Aq të gjata sa më thelb synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë është në dorën tuaj por prokuroria duhet të ishte kuptuar që kurdo që të kthehem, do të kthehem më Kosovën e lirë”, tha Selimi.
Jakup Krasniqi e nisi fjalën e tij duke folur për luftën dhe dinjitetin njerëzor të një populli që nuk refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. Krasniqi tha se çdo akuzë e ngritur nga prokuroria kundër luftës së UÇK-së, është vazhdim i i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë.
“Populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër, etnie apo feje. Ne luftuam vetëm për jetën, lirinë, demokracinë, barazinë dhe drejtësinë. Jo për të kontrolluar territor për dominim, për lakmi apo përfitim kriminal, qëllimi ynë ishte ta kthenim Kosovën te populli i saj që ata të jetonin me dinjitet”, tha ndër të tjera Krasniqi.
Më herët avokatët mbrojtës të Thaçit, Selimit, Krasniqit dhe Veselit kërkon pafajësinë e tyre dhe mohuan akuzat e ngritura nga prokuroria duke i cilësuar si të pabazuara në fakte apo të vërteta.