Rajoni

Gjyqi në Hagë, vijon dëshmia e Christopher Hill-it në mbrojtje të Thaçit!

Për të dytën ditë radhazi, diplomati amerikan në pension, Christopher Hill vijon dëshminë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Hill vuri në dukje se nuk besonte dhe as nuk ka dëgjuar që Thaçi të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme në kohë lufte, ndaj shtoi se e ndjeu të nevojshme që të tregonte çka dinte.

Nuk e di nëse Hashim Thaçi ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit, me sugjeron që ai nuk ka qenë. Nuk jam në gjendje ta konfirmoj një gjë të tillë.

Hill ka qenë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë kohës së luftës në Kosovë. Dje deklaroi se Hashim Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në dhe se nuk kishte strukturë me organizim hierarkik.  Përveç Thaçit, gjyqi në Hagë po mbahet edhe ndaj Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte e kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve ‘98-1999, kur ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare. Të katërt i hedhin poshtë akuzat.

Ndërkaq, sa i përket Jakup Krasniqit, dëshmitari i cili ka mbajtur funksione të rëndësishme ka deklaruar se nuk ka besuar që Krasniqi ishte një nga figurat kryesore në UÇK.

Në fakt, ky ka qenë problem i madh për amerikanët, meqë u është dashur të bëjnë udhëtime të rrezikshme nëpër zona të ndryshme të konfliktit në Kosovë, në përpjekje për të gjetur njerëz që mund të flisnin në emër të grupit, që më pas të mund të negocionin me ta.

Në pjesën e mbetur të ditës, si dhe në ditët në vijim, Chritopher Hill do të merret në pyetje nga prokuroria. Përgjatë dëshmisë, ai vuri në dukje se ka qenë i vetëdijshëm për mospajtimet mes shqiptarëve, por që ky aspekt nuk ka qenë shqetësim për të, meqë si mision ka patur ndalimin e luftimeve mes shqiptarëve e serbëve.