Aktualitet Rajoni

Gjyqi në Hagë/ Mbrojtja e Jakup Krasniqit: UÇK nuk kishte qëllim kriminal!

UÇK-ja nuk u krijua për të marrë pushtetin në Kosovë. Kështu deklaroi mbrojtja e Jakup Krasniqit në Hagë, duke rrëzuar pretendimin e Prokurorisë për një plan të përbashkët kriminal.

Sipas avokatit Aidan Ellis, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit si lëvizje mbrojtëse, si përgjigje ndaj dhunës dhe shtypjes ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ata thonë se synimi ishte çlirimi i vendit dhe mbrojtja e civilëve, jo kryerja e krimeve.

“UÇK nuk u krijua si organizatë që synonte marrjen e pushtetit, ajo u ngrit si një lëvizje mbrojtëse e krijuar si përgjigje ndaj kërcënimit ekzistencial dhe të menjëhershëm më të cilin përballeshin shqiptarët e Kosovës, civilët, të cilët pësonin nga dhuna dhe shtypja e forcave serbe. UÇK kishte synim të përbashkët çlirimin e Kosovës nga forcat serbe dhe mbrojtjen e popullsisë civile. Asnjëri synim nuk kishte qëllim kriminal Prokuroria nuk e ka vërtetuar ekzistencën e një politike qendrore të miratuar të UÇK-së për t’i shënjestruar bashkëpunëtorët dhe nuk e ka demonstruar lidhjen në mes të politikës së pretenduar të Krasniqit. Provat vërtetojnë stigmën sociale që ekzistonte përpara luftës, sjelljen e decentralizuar dhe shpeshherë kaotike gjatë saj, si dhe mbështetjen e gjerë në prova të dorës së dytë, thashetheme apo citime, dhe jo fakte” , -argumentoi avokati mbrojtës.

Më pas, trajtoi pretendimet e Prokurorisë se komunikatat e UÇK-së kanë kontribuuar në ndalimet e personave në zonën e Llapit. Sipas avokatit, Prokuroria është përpjekur që ta mbulojë këtë “problem të dukshëm” duke thënë në dosjen e saj se “dëshmia e Rrustem Mustafës është qarkore dhe kontradiktore”.

“Nëse dëshmitari i Prokurorisë është kontradiktor, atëherë Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta. Shumica e dëshmitarëve folën për një rregullore të përgjithshme ku caktoheshin detyrat e policisë ushtarake dhe më pas Prokuroria e përktheu siç deshi. Shumica e provave nuk kanë vërtetuar për ndonjë praktikë të pamëshirshme në terren. Prokuroria nuk e vërteton argumentin e saj, sepse në fakt ajo nuk e ka trajtuar thelbin e argumentit”, -tha ai.

Ai, gjithashtu, i ka bërë thirrje trupit gjyqësor që t’i marrë me shumë rezerva dëshmitë e disa dëshmitarëve që i ka ftuar Prokuroria, pasi, sipas avokatit “99 për qind e dëshmitarëve nuk e kanë parë asnjë rregullore”.