Auto & Moto

Drejtori ekzekutiv i Formula 1: “Sporti nuk do të bëhet kurrë elektrik…”!

Drejtori ekzekutiv i Formula 1, nivelit më të lartë global të garave me makina ka përjashtuar çdo mundësi që sporti të bëhet elektrik, duke thënë se karburantet e qëndrueshme do ta lejojnë atë të arrijë objektivin e tij për neutralitetin e karbonit deri në vitin 2030. Në një intervistë me gazetën italiane Il Sole 24 Ore, drejtori ekzekutiv i Formula 1, Stefano Domenicali deklaroi se sporti “nuk do të bëhet kurrë elektrik” pavarësisht nga përpjekjet për të prodhuar emetime neto zero para fundit të dekadës.

Në vend të kësaj, Formula 1 do të reduktojë emetimet e bolidëve në pistë duke detyruar përdorimin e karburanteve të qëndrueshme nga makinat garuese. Momentalisht, të gjitha makinat e Formula 1 fuqinë e marrin nga derivatet E10, e cila përbëhet 90% nga derivatet e fosileve dhe 10% nga etanoli, që është e njëjtë me derivatet të cilat mund t’i gjeni në stacionin lokal të benzinës, megjithëse karburantet e garave prodhohen me një standard shumë më të lartë.

Nga viti 2026, të gjithë motorët e makinave të Formula 1 do të furnizohen me karburant sintetik “100% të qëndrueshëm”, duke bërë që prodhuesit e makinve si Ford, Audi dhe Cadillac të hyjnë në seri për të rikthyer imazhin “të gjelbër” të sportit. Makinat do të vazhdojnë të fuqizohen nga motorë me benzinë 1.6 litra V6 me “turbocharge” edhe pse nga viti 2026 sistemi hibrid i makinës do të prodhojë afërsisht trefishin e fuqisë aktuale, duke e rritur atë nga 120kW në 350kW.

Kjo do të thotë se motori V6 me benzinë i cili tani prodhon fuqi prej 400kW pothuajse do të përputhet me sistemin hibrid. Pavarësisht shtytjes së Formula 1 për t’u “bërë e gjelbër” gjatë dekadës së fundit dhe duke qenë një adoptues i hershëm i teknologjisë hibride në garat globale të motorëve nuk ka qenë aq i shpejtë për të adoptuar karburante të qëndrueshme sa seritë e tjera të sporteve motorike.

Së fundmi Ford ka njoftuar se do të furnizojnë me motorë ekipin e Red Bull. Ford është prodhuesi i tretë i motorëve më i suksesshëm në historinë e Formula 1. Ekipi simotër i Red Bull, Scuderia AlphaTauri do të përdorë gjithashtu motorët e Ford dhe marrëveshja midis Ford dhe Red Bull do të zbatohet nga viti 2026 deri në vitin 2030.