Celebrities Gossip Showbiz

E dëshpëruar Adele njofton shtyrjen e koncertit në Las Vegas!

Këngëtarja e njohur britanike Adele së fundmi ka njoftuar shtyrjen e koncertit të saj në Las Vegas, një ditë para se të niste, duke thënë se COVID e ka bërë të pamundur të vazhdojë. Në një video të postuar në Instagram, Adele shfaqet e përlotur dhe kërkon falje pasi ekipi i saj është me COVID.

Më vjen shumë keq, por shfaqja ime nuk është gati. Gjysma e ekipit tim ka COVID dhe ka qenë e pamundur të përfundoj shfaqjen.

Ajo do të luante të premten në The Colosseum në Caesars Palace, i pari nga 24 koncertet. Seria e shfaqjeve ‘Weekends With Adele’ do të fillonte të premten dhe do të vazhdonte deri më 16 prill. Biletat ishin vënë në dispozicion që në dhjetor dhe u shitën në kohë rekord. Ato varionin nga 85 në 685 dollarë dhe Adele parashikohej të fitonte më shumë se 500,000£ për performancë.

Ato do të ishin koncertet e saj të para live në pesë vjet. Së bashku me dy takime në Hyde Park të Londrës këtë verë, ato janë të vetmet shfaqje që ajo ka njoftuar për të promovuar albumin e saj të katërt, “30”. Duke folur në Instagram, Adele tha se kishte qenë zgjuar për 30 orë duke u përpjekur të shpëtonte produksionin, por thjesht i kishte mbaruar koha.

Është e pamundur të përfundosh shfaqjen. Unë nuk mund t’ju jap atë që kam tani dhe jam e mërzitur. Jam vërtet e turpëruar dhe më vjen shumë keq për të gjithë ata që udhëtuan.

Këngëtarja e “Hello” tha se datat do të ricaktohen. Rikujtojmë se Adele mund të rrezikojë të humbasë zërin e saj gjatë qëndrimit të saj në Las Vegas. Ajo u paralajmërua nga legjenda e rock-ut Joe Elliott, i cili tha se nxehtësia e thatë në qytetin e nxehtë përvëlues mund të ndikojë te kordat e saj vokale. Ai i kërkoi Adele të investonte në disa pajisje të mira për ta mbajtur zërin e saj në gjendje të mirë. Adele ka patur probleme me kordat e saj vokale ndër vite dhe në vitin 2011, ajo iu nënshtrua një operacioni pasi pësoi një hemorragji në kordat e saj vokale.