Gossip Sport

Eliminimi i Francës nga “EURO 2020” nuk pritet aspak mirë nga prindërit e lojtarëve, tension në tribunë!

Franca i ka dhënë fund aventurës në Kampionatin Evropian këtë të hënë pas humbjes kundër Zvicrës me penallti. Duket se shqetësimi i ekipit francez nuk është vetëm në fushë por edhe jashtë tij. Sipas “RMC Sport”, në fund të ndeshjes ka patur në tribunë një përballje verbale midis nënës së Adrien Rabiot dhe familjeve të Paul Pogba dhe Kylian Mbappe, menjëherë pasi dështuan në penalltinë vendimtare.

Nëna e Adrien Rabiot pyeti, ndër të tjera, se si Paul Pogba kishte humbur topin në fund të ndeshjes, që çoi në barazimin e Zvicrës. Ajo gjithashtu kishte kohë për t’ia kujtuar babait të Kylian Mbappes se ai duhet ta bënte djalin e tij më pak arrogant dhe kjo shkaktoi momente tensioni midis prindërve të sulmuesit të PSG dhe nënës së Rabiot.

Për rreth njëzet minuta, nëna e Adrien, Véronique Rabiot u përball me familjet e pranishme në stadiumin e Bukureshtit dhe sulmoi verbalisht edhe disa gazetarë. Tensioni nisi që në fushë.

I gjithë diskutimi erdhi si rezultat i humbjes së topit nga Paul Pogba që solli barazimin e rezultatit në minutën e 90. Sapo mesfushori humbi topin, Adrien Rabiot ngriti krahët. Trajneri i Francës Didier Deschamps ndërhyri për ta qetësuar Paul Pogba-n, duke i dhënë fund bisedës mes dy lojtarëve.