Showbiz

Ermonela Jaho, Ambasadore e “CRCA/ECPAT Shqipëri” kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të femijëve

Ermonela Jaho, një ndër sopranot më të vlerësuara në botë, tashmë është zyrtarisht Ambasadore e ‘CRCA/ECPAT Shqipëri’ në luftën kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve. Vetë ylli i operas, e ka bërë publike lajmin nëpërmjet një video-mesazhi në gjuhën Shqipe dhe Angleze.

Dhunuesit në mënyrë çnjerëzore po rrëmbejnë çiltërsinë dhe brishtësinë e fëmijëve të dhunuar, por ata nuk do të arrijnë kurrë t’i bëjnë ata të heshtin! Të bëhemi ZËRI i atyre që nuk kanë zë për të folur dhe për të treguar!”-thekson Ermonela.

Ermonela Jaho është Ambasadorja e Parë që ‘CRCA’, ‘Barnahus Shqipëri’ dhe ‘Lëvizja Kombëtare #NEJEMI1’ kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, shpallën në ditën e parë të hapjes së aktiviteteve në kuadër të Ditës Europiane dhe Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Fëmijëve, që kremtohen në Europë dhe në Botë, në datat 18 dhe 19 nëntor.

E cilësuar si “interpretuesja operistike më e vlerësuar në botë”, Jaho do të angazhohet në ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, prindërve, nënave e baballarëve, për të folur hapur dhe raportuar pa frikë çdo ngjarje të dhunës, ngacmimit apo shfrytëzimit seksual. Vetëm brenda një viti, Shqipëria numëron mbi 60 raportime të fëmijëve të dhunuar apo shfrytëzuar seksualisht. Statistikat e OBSH-së tregojnë se deri në 1 miliard fëmijë të moshës 2–17 vjeç, kanë përjetuar dhunë ose neglizhencë fizike, seksuale ose emocionale gjatë vitit të kaluar.