Aktualitet Travel

“Euronews”: Alpet Shqiptare mes 13 vendeve më të bukura për ski në Europë!

“Nga Shqipëria në Poloni, Europa ka një mori destinacionesh të përshtatshme për ski dhe për t’u eksploruar”. Kështu shkruan gazetarja Katy Dartford në një artikull të publikuar në euronews.travel me qendër në Bruksel.

Kur imagjinoni skijimin në Europë, të parat që ju vijnë në mendje jane Alpet, duke kaluar nëpër Francë, Zvicër, Austri dhe Itali. Por, kontinenti ka edhe shumë destinacione alternative që ofrojnë peizazhe e gjithashtu kultura unike, si dhe disa nga masivet malore më të bukura në botë.

Alpet Shqiptare janë renditur mes 13 vendeve më të bukura për ski në Europë.

Bjeshkët e Nemuna

“Bjeshkët e Nemuna”, një vargmal në gadishullin e Ballkanit perëndimor, thuhet se ofrojnë një nga vendpushimet më të mira për ski në Europë. Kufiri malor mes Malit të Zi e Shqipërisë veriore, i njohur po ashtu si Alpet Shqiptare pret vizitorë gjatë sezonit dimëror.

Bazuar në folklorit vendas, “Bjeshkët e Nemuna” u krijuan nga djalli kur u lëshua nga ferri për një ditë të vetme të keqe.

Sipërfaqja e pjerrët shkëmbore dhe akullnajat e mëdha, thuhet se të kujtojnë “Alpet Dolomite” italiane e praktikisht të padepërtueshme gjatë verës me vetëm një seri kalimesh të larta që lidhin një numër të vogël fermash në lugina.

Këtu ndihesh larg, shumë larg Europës së shekullit të XXI.

Si pjesa më e lartë e të gjithë Alpeve Dinarike, të cilat kalojnë zig-zag në të gjithë gadishullin e Ballkanit Perëndimor, “Bjeshkët e Nemuna” ofrojnë linja të pjerrëta skijimi nga majat, si Maja e Jezercës me pamje mahnitëse të Shqipërisë veriore, Kosovës e verilindjes së Malit të Zi.

Pikat turistike më të bukura janë rreth luginës së Valbonës e Thethit. Këtu mund të qëndroni në shtëpitë pritëse ose në një nga bujtinat dimërore.

Nuk ka opsione “apres-ski”, për aktivitete pas skive, por mund të ngroheni duke provuar rakinë e kumbullës të bërë në shtëpi, një pije tradicionale shqiptare.

Në mediat botërore, vendi ynë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes sa i përket turizmit. Edhe revista britanike “National Geographic Traveller” i shtohet listës së atyre që rekomandojnë Shqipërinë, duke na renditur mes 30 destinacioneve më emocionuese për t’u vizituar vitin e ardhshëm, teksa na përmend si atraksion edhe për “skenën relativisht të sapolindur të turizmit”. Sërish veçohen Alpet.