Aktualitet Travel

“National Geographic Traveller” rekomandon vendin tonë për 2024-ën: Shqipëria, yll në ngjitje!

Në mediat botërore, vendi ynë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes sa i përket turizmit. Edhe revista britanike “National Geographic Traveller” i shtohet listës së atyre që rekomandojnë Shqipërinë, duke na renditur mes 30 destinacioneve më emocionuese për t’u vizituar vitin e ardhshëm, teksa na përmend si atraksion edhe për “skenën relativisht të sapolindur të turizmit”.

Me hapjen e linjave të reja ajrore që e bëjnë udhëtimin më të lehtë se kurrë, ka shumë për të zgjedhur për udhëtimin tuaj të ardhshëm, nëse jeni duke kërkuar të lidheni me natyrën, të ngjiteni në zonat malore apo të provoni kuzhinat tradicionale!

Alpet Shqiptare

Një arratisje e egër në “yllin” në ngjitje të Europës, Shqipërinë! Udhëtarët që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme europiane po shikojnë gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë.

Vendi ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, të kaluarës intriguese osmane e komuniste, si dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit.

Të zhytura në brendësi të veriut, Alpet Shqiptare janë një e pjesë e rëndësishme e turizmit shqiptar.

Bjeshkët e Nemuna, kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebullët enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë sipërfaqen e luginës.

Ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të bëhen pjese e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin e Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit.

Po ashtu, Shqipëria është më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore.

“Ryanair” ka nisur së fundmi fluturimet drejt kryeqytetit të Tiranës nga Edinburgu, Mançesteri dhe Stanstedi, ndërsa “Wizz Air” do të operojë nga Birmingami, Edinburgu dhe Liverpuli nga 19 dhjetori i këtij viti.