Bota Music

Fitoi Eurovizionin, publikohet video e këngës “Stefania” e xhiruar mes gërmadhave të luftës!

Kalush Orchestra, grupi ukrainas që fitoi edicionin e radhës së Eurovision Song Contest, në Torino të Italisë publikoi videon e këngës “Stefania”, të xhiruar në Borodyanka, Irpin, Bucha e Gostomel, qytezat përreth Kievit ku Moska akuzohet për masakra të qytetarëve ukrainas. Këngëtari Oleh Psyuk:

Këtë këngë ia kushtova nënës sime, por me shpërthimin e luftës, “Stefania” mori shumë domethënie të reja. Edhe pse nuk ka një fjalë të vetme për luftën në vend, shumë njerëz nisën të bënin lidhjen me Nënën Ukrainë. Për më tepër, filluan ta quanin himn për luftën tonë. Por, nëse tani “Stefania” është himn për luftën do të doja të bëhej himn për fitoren e ukrainasve!

Video e këngës “Stefania” u publikua në kanalin YouTube të grupit Kalush Orchestra. Përmes Sony Music Entertainment, fitimet do të shkojnë për një shoqatë humanitare, të përzgjedhur nga vetë Kalush Orchestra.

I prekur nga vala e mbështetjes së publikut europian që e çoi Ukrainën në fitoren e festivalit europian të këngës, presidenti Volodymir Zelensky u zotua që vitin e ardhshëm, eventi të zhvillohet në Mariupol, qytetin e kthyer në gërmadhë për shkak të sulmeve të vazhdueshme të pushtuesve rusë.

Edhe pse kjo nuk është pjesë e luftës, për ne çdo fitore është e rëndësishme, prandaj le ta festojmë fitoren tonë. Për herë të tretë në historinë e vendit dhe besoj jo të fundit. Ne do të bëjmë çmos që një ditë të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovision-it në Mariupol të një Ukraine të lirë, në paqe e të rindërtuar. Falënderoj Kalush Orchestra për këtë fitore dhe të gjithë ata që na dhanë votat! Jam i sigurt se tingulli i fitores dhe në betejën me armikun nuk është i largët. Lavdi Ukrainës!

Triumfi i Ukrainës u interpretua gjerësisht si një mesazh sfidues ndaj presidentit rus Vladimir Putin. Pjesëtarët e grupit ukrainas, Kalush Orchestra kishin gjithashtu një mesazh falënderimi për solidaritetin e treguar.