Aktualitet

Gjermani, dënohet një grua pasi shpoi prezervativët e partnerit për të mbetur shtatzënë! Gjinekologët shqiptarë konfirmojnë raste të ngjashme!

Një grua në Gjermani është shpallur fajtore për “sulm seksual”, pasi kishte shpuar prezervativët e partnerit të saj pa dijeninë ose pëlqimin e tij. Gjykata e shpalli fajtore duke i dhënë një dënim me kusht me gjashtë muaj. Në dhënien e vendimit, gjykatësi tha se rasti ishte unik në historinë e drejtësisë gjermane por ndoshta edhe në botë sepse bëhet fjalë për një grua.

Rasti në fjalë kishte të bënte me një grua 39-vjeçare e cila ishte në një lidhje me një 42-vjeçar. Të dy u takuan online në fillim të vitit 2021 dhe filluan një marrëdhënie të rastësishme seksuale. Me kalimin e muajve gruaja zhvilloi ndjenja më të thella për partnerin e saj, por e dinte se ai nuk donte të ishte në një marrëdhënie të përkushtuar. Në këtë situatë ajo hapi fshehurazi vrima në prezervativët që partneri i saj mbante në komodinën e tij.

Ajo kishte shpresuar të mbetej shtatzënë, por përpjekjet e saj thuhet se ishin të pasuksesshme. Pavarësisht kësaj, ajo më vonë i shkroi burrit 42-vjeçar një mesazh në WhatsApp, duke thënë se ajo besonte se ishte shtatzënë dhe i tha atij se ajo kishte dëmtuar qëllimisht prezervativët. Por a ka edhe në Shqipëri raste kur vajzat apo gratë bëjnë manovra të ndryshme për të mbetur shtatzëne? Po ligji shqiptar a parashikon dënime nëse ndodh diҫka e tillë?

Të ftuar në studion e “Wake Up” këtë mëngjes ishin gazetarja Zhaklin Lekatari, Enriketa Kroi, obstetër gjinekologe dhe në një linjë telefonike avokati Idajet Beqiri. Lekatari u shpreh se i ka ndodhur të ketë dëgjuar për raste në Shqipëri ku vajzat kanë ‘sajuar’ eko për të mbajtur marrëdhënien serioze. Ashtu siç ka pasur edhe raste burrash që kanë tentuar ta lënë partneren e tyre shtatzënë për të siguruar marrëdhënien.

Për mua nuka ka fare rëndësi nëse është burrë apo grua, kjo është dhunë.

Nga ana tjetër Enriketa Kroi, është shprehur se në praktikën e saj ka pasur raste ku i janë lutur se çfarë metode të mund të përdorin për të ngelur shtatzënë pa e marrë vesh partneri.

Sot në botë shiten nëpër farmaci kontenitor të vegjël, në të cilën hidhet sperma dhe pastaj me shiringë mund të injektohet intra-vaginale. Mua më kanë ardhur me kontenitor dhe më kanë pyetur se si ta përdorin.

Po nga ana ligjore çfarë ndodh në Shqipëri në një rast të tillë? Avokat Beqiri thotë se:

Në Shqipëri në një rast të tillë, burri do të hiqte ‘të zinjtë e ullirit’, nuk do të dënohej gruaja. Pasi gruaja të ngelte shtatzënë do të bëhej një luftë që të njihej atësia. Ai do të paguante një detyrim ushqimor deri në moshën 25-vjeçare të fëmijës. Kështu ndodh në Shqipëri.