Bota Botë e Çuditshme

Gjithçka për sigurinë e qytetarëve, Sllovenia bën kurban mbi 200 arinj!

Sllovenia do të vrasë 230 arinj të murrmë për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Lajmin e dha ministri i Burimeve Natyrore dhe Çështjeve Territoriale, Uros Brezan, sipas të cilit kjo është një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve dhe për të shmangur dëmtimin e tepërt të shkaktuar nga këto kafshë.

Qëllimi është që në vitet e ardhshme numri i arinjve të arrijë në 800. Aktualisht në Slloveni janë rreth 1100, por për një zonë si Sllovenia popullsia ideale do të ishte 450-500 arinj. Mazhoranca qeveritare, përmes socialdemokratëve, ka paraqitur edhe amendamentin e ligjit për mbrojtjen e kafshëve, i cili ndër të tjera parashikon stalla kalimtare, inspektime të specializuara dhe vendosjen e video-mbikëqyrjes së brendshme të detyrueshme në thertore.

Sjellim në vëmendje se pas më shumë se njëzet vjetësh në robëri, ariu Mark mbërriti në shtëpinë e tij të re, një vendstrehim kafshësh në Austri. CNN i ka dedikuar një artikull historisë së Markut i cili cilësohet si një prej “arinjve të fundit të restoranteve” në Shqipëri. Ariu i murrmë 24-vjeçar është i fundit “ari restoranti” në vendin tonë, sipas një njoftimi nga Four Paws, megjithëse ka arinj të tjerë në robëri, në rrethana të vështira në vend.