Botë e Çuditshme

Gjuha e trupit tregon shumë, zbuloni si të dukeni me vetëbesim të lartë!

Gjuha e trupit tregon më shumë seç mendoni ju. Ajo pasqyron mendimet dhe ndjesitë edhe kur ju i fshihni ato. Gjuha e trupit drejtohet nga subkoshienca, ndaj mos e nënvlerësoni. Më poshtë zbuloni pesë qëndrimet që ju bëjnë të dukeni me vetëbesim të lartë.

1. Bëni sa më shumë kontakt me sy

Kur ulni kokën ose shmangni kontaktin e syve, ju dukeni sikur keni frikë apo jeni të trembur. Ndaj bëni sa më shumë kontakt me sy që të dukeni me vetëbesim të lartë. Kontakti sy më sy është arma juaj më e fortë, pasi gjithashtu pasqyron sinqeritet, krenari dhe përqëndrim.

2. Mbajeni kokën lart

Në shumicën e rasteve ata që ecin me kokën ulur apo flasin në po të njejtën mënyrë, janë njerëz me vetëbesim të ulët. Mbajeni kokën lart, tregohuni krenar dhe të patrembur. Veç faktit se do të dukeni me vetëbesim, qëndrimi me kokën lart është mirë për shëndetin gjithashtu.

3. Mbajini këmbët përballë personit me të cilin po flisni

Edhe pse mund t’ju duket si një detaj i parëndësishëm, drejtimi i këmbëve tuaja gjatë një bisede mbart një kuptim. Është e sugjerueshme t’i mbani këmbët përballë personit me të cilin po flisni. Kështu, ju do të dukeni të përqëndruar dhe me vetëbesim të lartë. Ndërkohë, nëse i mbani këmbët anash dukeni të trembur e të stresuar.

4. Buzëqeshni

Sigurisht ju nuk mund të qëndroni të qeshur gjatë gjithë kohës. Por buzëqeshni lehtë sa herë ju jepet mundësia, pasi kështu do të dukeni me vetëbesim më të lartë. Teksa buzëqeshni, ju dukeni të sigurtë në veten tuaj dhe asgjë nuk mund t’ju frikësojë.

5. Merrni hapësirën tuaj

Një tjetër detaj i gjuhës së trupit që ju bën të dukeni me vetëbesim të lartë, është të merrni hapësirën tuaj. Mos u mblidhni sepse kështu do të dukeni të frikësuar dhe në stres. Përkundrazi, zotëroni hapësirën që ju përket duke shfaqur kështu vetëbesim tek të tjerët.