Celebrities Film & Tv Showbiz

Gjuha e urrejtjes në emisionet televizive, Ardit Çuni u mbyll gojën të gjithëve!

Gjuha denigruese e emisioneve televizive kundër artistëve (dhe aq më tepër me Ronela Hajatin) ditët e fundit duket se nuk ka të ndalur. Ronela ka marrë kritika të shumta, që nga performanca e saj e deri tek ‘look’-u, më së shumti nga kolegë të tjerë apo edhe disa pseudo-opinonistë, shpesh herë jo nga fusha e muzikës, që kanë një opinon kritik mbi çdo detaj.

Debati mbi Eurovizionin është diskutuar edhe në studion e “Open” nga Eni Vasili së fundmi. Një diskutim që përfundoi me tone mjaft të ashpra mes Robert Aliaj dhe Ardit Çunit. Ky i fundit theksoi se të gjitha fitoret në Festivalin e Këngës janë kontestuar, ku tha edhe emrin e Rona Nishliut. Por menjëherë ndërhyri Roberti, i cili tha se Rona është një diva ndërsa këtë vit, sipas tij, Shqipëria pati një paraqitje jo të denjë në Eurovizion.

Ardit Çuni: Edhe për Rona Nishliun ashtu thatë…

Robert Aliaj: Mos flisni si skutha, i lini këto muhabete. Rona Nishliu ishte një diva, nuk e kam sharë asnjëherë. Ka pasur edhe të tjerë. Rona shkëlqeu shumë, mbeti në memorien e shumë vendeve. Në atë finale Rona Nishliu u përmend si imazh. E përmendën edhe spikerat. Më erdhi mirë normal. Nuk është personale situata. Është më shumë tek unë një frustrim që vjen nga një 30-vjeçar tranzicioni.

Ardit Çuni: Të përgëzoj për skandalet që shkakton në televizionet që merr pjesë.

Arditi u mundua të ishte më i qetë, deri në momentin kur Roberti deklaroi me ironinë dhe sarkazmën që e karakterizon dukshëm, se nuk i njeh artistët e kalibrit të Arditit. Aliaj u shpreh se nuk e njeh fare, nuk merret me njerëz anonimë dhe që nuk kanë kulturë debati. Më pas diskutimi agravoi në ofendime edhe më të rënda, të cilat e detyruan Ardit Çunin të largohej nga studioja.

Problemi në këto emisione televizive duken pak më të thella se thjesht të shkaktojnë debate në panelin e të ftuarve. Si fillim, a nuk është detyra e moderatores së emisionit që të ndërhyjë në raste agravimi siç ishte ky, apo ‘skupet’ nëpër portale të nesërmen kanë më shumë vlerë? Po ashtu, mënyra se si i drejtohej Ardit Çunit (“Big Brother”-ist”) ishte e vetmja që u përmend. Mbase nuk i ka marrë informatat mirë para emisionit se kë ka të ftuar në panel… Dimë të themi vetëm diçka, në një diskutim ku ‘çudia më e madhe 3 ditë zgjat’, por që emisionet tona nuk paskan tema të tjera përveç Eurovizionit, Ardit Çuni luajti kartën më të mirë duke u mbyllur gojën të gjithëve. Jo gjithmonë mënyra se si ti mendon është ajo e duhura që ekziston, minimumi që artistët mund të bëjnë kundrejt njëri-tjetrit është të mos flasin me gjuhë urrejtjeje…