Celebrities Gossip Live From Tirana Showbiz

Gjuha e urrejtjes në emisionet televizive, Iva Tiço: “Moderatorët kanë rënë në kurth…”

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio gazetarja e njohur Iva Tiço për të na folur më shumë rreth mënyrës se si ka evoluar mënyra e të diskutuarit në televizione dhe si po zhvillohet kultura e të debatuarit në emisionet shqiptare. Për më shumë Iva thotë:

E shoh që publiku ankohet por edhe ne si konsumator kemi njëfarë faji sepse rrjetet sociale na kanë shpërqendruar. Na humbet shpejt fokusi, shpërqendrohemi nga mesazhet, thirrjet dhe moderatorët kanë rënë në këtë kurth që duhet të kapin vëmendjen e njerëzve. Duke qenë se shumë nga emisionet kanë edhe matjet në kohë reale, që masin audiencën e shohin kur emisioni fillon dhe ka rënie nisin dhe ndezin debatin. Shikuesit ankohen që nuk arrijmë të dëgjojmë por vetë ata njerëz klikojnë dhe duan sherrin. Publiku atë do ne atë gjellë i japim. Ne jemi ballkanas dhe kur futemi në një debat edhe me miqtë ne nuk duam të dëgjojmë, por duam vetëm të flasim. 

Sa i përket debatit të fundit të ndodhur mes Ardit Çunit dhe Robert Aliajt, ku Arditi u largua nga emisioni, cili është roli i moderatorit në këto situata sipas Iva-s?

Nuk e kam ndjekur debatin e fundit mes tyre por nëse të kanë ftuar në një emision, përderisa të kanë ftuar të gjithë që ulen aty në panel janë të barabartë dhe është komplet në dorën e moderatorit që t’i respektojë njerëzit. Nëse të ceket integriteti patjetër që do të largohesh. Nuk ka njëri i nënës tjetri i njerkës. Ka moderatorë që e kanë personale me të ftuarit por dinë ta fshehin. Më ka ndodhur që në emisionin e Blendi Fevziut ju drejtova Lubonjës me pseudonim dhe më tha t’i drejtohesha Zoti Lubonja. Është merita e moderatorit të të vendos limitet. Ka momente që moderatori e bën enkas, është mënyra e tyre për të qëndruar në treg. Ka moderatorë që ju del rrugës, ka që e bëjnë enkas duke pasur skemën që në studio do të kem një provokues, një specialist. Ka njerëz që për të qendruar ne treg bëjnë këtë cirk televiziv sepse në fund të fundit një debati të bukur i ka ikur moda, zhurma qëndron.