Rajoni

Gjyqi në Hagë, ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm/Protestë në Hagë!

Gjyqi në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, prokurori special, Alex Whiting, nisi deklarimin e tij e tha se katër të akuzuarit ishin themelues të UÇK-së e të Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, ata mbështetën e zbatuan një politikë që në shënjestër vinte personat që shiheshin si bashkëpunëtorë me Serbinë, por edhe persona që kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësoj si ata. Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve.

Në deklaratën hyrëse, prokurori lexoi pikat që flasin për përgjegjësinë e dyshuar penale të të akuzuarve për krime lufte e kundër njerëzimit. Paraprakisht, mbrojtja dhe Prokuroria ranë dakord që në këtë seancë të mos lexohet e gjithë aktakuza, por vetëm disa pjesë të saj. Prokuroria pretendon se katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-pjesëtarë të tjerë ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Të pandehurit kanë personalisht përgjegjësi penale për dhjetë pikat e aktakuzës.

Protestë në Hagë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së

Qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur në sheshin Laan van Reagan en Gorbatsjov në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës ku sot nisi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra.

Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm

Gjykatësi ka kërkuar nga të pandehurit që të deklarohen sërish për aktakuzën e plotësuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi:

Jam plotësisht i pafajshëm!

Kadri Veseli:

Tërësisht i pafajshëm!

Rexhep Selimi:

Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Jakup Krasniqi:

Nuk kam asnjë lidhje me pikat e aktakuzës. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza.