Rajoni

Gjyqi në Hagë, prokurorët e specializuar: Nuk po gjykohet UÇK-ja!

Sot në Hagë, Prokuroria e Specializuar tha se përmes provave do të dëshmojë se UÇK-ja kishte hierarki dhe se të katër të akuzuarit (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi) kishin autoritet në Shtabin e Përgjithshëm. Prokurori Alex Whiting deklaroi se gjatë marrjes në pyetje në Hagë, Thaçi dëshmoi se “Shtabi i Përgjithshëm nuk ka qenë funksional dhe vetëm në letër”.

Këto pretendime do të hidhen poshtë gjatë gjykimit.

Ndërkaq, prokurori tjetër i specializuar Matthew Halling bëri një historik se si u krijua UÇK-ja.

UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte LDK-ja, që ishte rezistencë paqësore.

Po ashtu, Halling përmendi disa prej deklaratave të bëra më herët nga të pandehurit lidhur me Shtabin e Përgjithshëm e vetë UÇK-në. Ai prezantoi edhe intervista të dhëna për gazeta të ndryshme. Sipas prokurorisë, Thaçi, Veseli e Selimi themeluan Shtabin e Përgjithshëm dhe nisën këtë “ndërmarrje të përbashkët kriminale. “Krasniqi ishte anëtar i Drejtorisë Politike”.

Prokuroria: Nuk po gjykohet UÇK-ja

Alex Whiting:

Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon që të procedojë UÇK-në e nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat u ngrit aktakuza. Një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë do të kenë frikë të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

Motivi i kryerjes së këtyre krimeve ishte arsyeja për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së. Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova. Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë.

Prokurori Halling vazhdoi me deklaratën hyrëse, duke thënë se gjatë marrjes në pyetje në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi konfirmoi postet që katër të akuzuarit patën gjatë luftës në Kosovë.