Aktualitet

Hakerat iranianë sulmojnë faqen e INSTAT-it!

Hakerohet faqja në internet e INSTAT-it. WEB-i i Institutit Shqiptar të Statistikave ka rënë pre e hakerave iranianë “Homeland Justice”. Në rrjetet sociale, ky grup njoftoi sulmin duke bërë që faqja e institucionit të statistikave zyrtare të mos jetë më e aksesueshme.

Nga INSTAT-i,  bëjnë të ditur se po punohet për rikuperimin e faqes.

Ky hakerim ndodh në kohën kur INSTAT-i është në fazën e përpunimit të të dhënave përfundimtare të CENSIT të banesave dhe popullsisë e që pritet të publikohen në qershor të këtij viti. Më tej do të jepen informacione lidhur me demografinë, ekonominë, arsimin apo shëndetësinë.

Grumbullimi i të dhënave ka përfundur në dhjetor të vitit të kaluar. Pra, janë grumbulluar të dhënat bazuar në procesin kryesor që ishin fushat e grumbullimit për CENSIN dhe po ashtu ka përfunduar grumbullimi i të dhënave për anketën pas CENSIT.

Tani janë në fazën e pastrimit të databazës. Do të vijohet më tej me fazën e përpunimit të informacionit të mbledhur e më pas do të kalohet te përgatitja e materialit me shkrim, një analizë e cila do të jetë informuese për publikimin. Qershori është periudha më e afërt e publikimit të tyre.

Në CENSIN e banesave dhe popullsisë që nisi më 18 Shtator të vitit të kaluar e që zgjati 6 javë u angazhuan në terren mbi 7 mijë e 500 anketues. Ky ishte CENSI i 12-të që nga koha kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.