Tech

Humbet vendin e parë si prodhues global, Samsung ‘mund’ Apple!

Dërgesat e telefonëve nga Apple kanë pësuar një rënie prej 10% në tremujorin e parë të 2024, shkaku i konkurrencës së madhe të telefonave Android. Bëhet e ditur se dërgesat globale të telefonave Samsung janë rritur për 7.8% gjatë periudhës janar-mars, duke zënë kështu vendin e parë si prodhues global.

Xiaomi si një nga prodhuesit kryesor të telefonave në Kinë, zë vendin e tretë. Samsung i Koresë së Jugut i cili së fundmi ka prezantuar serinë e re Galaxy S24 ka dërguar më shumë se 60 milionë telefona gjatë kësaj periudhe tremujore. Kjo rënie e Apple thuhet se nënvizon sfidat me të cilat përballet kompania amerikane në treg, pasi disa kompani kineze e kufizojnë përdorimin e pajisjeve Apple nga punonjësit.

Gjiganti teknologjik do të mbajë një konferencë në qershor ku do të nxjerrë në pah përditësimet e softuerit që fuqizon iPhone, iPad dhe pajisjet tjera Apple. Ndërkaq, rikujtojmë se përdoruesit e iPhone pretendojnë se përditësimi më i fundit i Apple iOS i bën pajisjet të papërdorshme. Megjithatë, ka një zgjidhje për këtë problem.

Shumë nga përdoruesit pasi instaluan përditësimin iOS 17.4.1, u detyruan të kërkonin ndihmë nga profesionistët në dyqanet e Apple dhe ndanë përvojat e tyre. Një pronare e iPhone tha për Daily Mail se telefoni i saj u përditësua por ekrani nuk reagoi kur ajo u përpoq ta zhbllokonte. Vetëm pasi ajo e çoi iPhone në një dyqan Apple për kontroll, pajisja filloi të funksiononte. “Punonjësi në dyqanin e Apple tha se përditësimi ka shumë të ngjarë të ketë ngecur, gjë që e bëri telefonin të mendojë se ishte ende duke u përditësuar dhe për këtë arsye nuk po përgjigjet”,-tha përdoruesja e iPhone.

Ndërkaq, Apple po largon nga puna më shumë se 600 punëtorë në Kaliforni, duke shënuar kështu valën e parë të shkurtimeve të punës pas pandemisë. Prodhuesi i iPhone ka njoftuar se 614 punëtorë do largohen nga puna me ligjin që hyn në fuqi më 27 maj. Bëhet e ditur se punëtorët janë dëbuar nga tetë zyra në Santa Clara sipas aktit të njohur si Warn. Por, ende nuk është e qartë se pjesë e cilit departament ishin ata punonjës.