Bota

Imazhet që po bëjnë xhiron e rrjetit, priftërinjtë rusë bekojnë raketën e quajtur “Satana”!

Ish-oligarku rus dhe kritiku i presidentit të Rusisë Vladimir Putin, dikur njeriu më i pasur në Rusi, Mikhail Khodorkovsky, ka publikuar një fotografi në rrjetet sociale që tërhoqi vëmendjen e publikut. Imazhet tregojnë priftërinjtë rusë duke bekuar raketën balistike ndërkontinentale të quajtur Satana. Krahas këtyre imazheve të publikuara në llogarinë e tij në Twitter, Khodorkovsky shkroi:

Unë nuk mendoj se do të shihni ndonjëherë ndonjë gjë më të çuditshme. Udhëheqësit e Kishës Ortodokse Ruse po bekojnë një raketë të quajtur Satana.

Kujtojmë se Khodorkovsky së fundmi kritikoi Putinin duke pohuar se lideri rus kupton vetëm gjuhën e forcës. Ai humbi pjesën më të madhe të pasurisë disa vite më parë për shkak se doli kundër Putinit. Mikhail gjithashtu kaloi një dekadë pas hekurave.

Rusia ka shkaktuar dëme, por pa arritur të shënojë përparim të madh territorial në lindje të Ukrainës. Trupat ruse e ukrainase janë duke luftuar fshat për fshat në Donbas, rajon lindor i vendit. Pikërisht këtu, ukrainasit përballen me separatistët e mbështetur nga Moska, prej 2014-ës. Në fundjavë, forcat ruse sulmuan një fabrikë të lëndëve kimike në Siverodonetsk të Donbasit.

Guvernatori i Lvivit njoftoi se “raketat ruse shkatërruan infrastrukturën ushtarake” në rajonin Javoriv, pranë kufirit me Poloninë. Perëndimi dërgon armë në Ukrainë përmes qytetit të Lvivit. Ushtria ukrainase bëri të ditur se i ndali hovin ofensivës ruse në Donbas.
Forcat ukrainase sulmuan pozicionet ruse dhe shkatërruan dy ura të kontrolluara prej tyre.