Disa vende si Italia, Franca dhe Gjermania po përgatiten sot të rifillojnë vaksinimin me vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s. Vaksinimi do të nisë po ashtu edhe në Portugali, Hollandë, Letoni, Lituani, Qipro dhe Bullgari. Hapi pason mendimin e favorshëm nga Agjencia Europiane e Medikamenteve (EMA) që rikonfirmoi se kjo vaksinë është e sigurt, efikase e më shumë se rreziqe, sjell përfitime.
Disa vende europiane e pezulluan vaksinimin nisur nga shqetësimet për raste trombozash të raportuara te persona të vaksinuar. Por tani janë gati të rifillojnë. Laboratori anglo-suedez “AstraZeneca” përshëndeti përfundimet e rregullatorëve europianë e britanikë mbi sigurinë e vaksinës së tij kundër koronavirusit.
Vendimi i disa shteteve evropiane për të pezulluar vaksinën e “AstraZeneca”-s, është krtitikuar nga ekspertë të shumtë të cilët theksuan se pezullimi i saj në një kohë kur vendet përballen me një shkallë të lartë të infeksioneve dhe me variante të reja ishte një papërgjegjshmëri. Ndërkaq, Shqipëria nuk e ndërpreu fushatën e vaksinimit me “AstraZeneca”-n por u shoqërua me hezitim nga ana e mësuesve në listë për të marrë dozat e saj.