Aktualitet

Shqipëri, vijon procesi i vaksinimit me vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s!

Në Shqipëri do të vijojë procesi i vaksinimit me vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s pavarësisht pezullimit në shumë vende nisur nga shqetësimet për rastet e mpiksjes së gjakut. Vendimin e mori Komiteti Kombëtar i Imunizimit, që do të mblidhet sërish për çdo zhvillim lidhur me vaksinimin.

Prej së shtunës, vaksina e “AstraZeneca”-s po përdoret në vendin tonë për mësuesit e pedagogët. Përmes instrumentit COVAX të OBSH-së, në Shqipëri kanë mbërritur mbi 38 mijë doza të saj. Ndërkaq, mësohet se pas shqetësimeve në botë, nga arsimtarët ka patur një lloj hezitimi.

Por, në një mbledhje urgjente Agjencia Europiane e Medikamenteve deklaroi se përfitimet e vaksinës anti-COVID të kompanisë “AstraZeneca” tejkalojnë rreziqet që mund të shkaktojë. Komentet vijnë pas raporteve të mpiksjes së gjakut në disa persona që u vaksinuan. Ndërhyrja e EMA-s pason masat bllokuese nga disa shtete anëtare të BE-së si Franca apo Gjermania, për të ndaluar përdorimin e vaksinës britaniko-suedeze.