Bota

Rritet numri i vendeve që pezullojnë vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s!

Nuk ka më kthim pas, vazhdon të rritet ndjeshëm numri i vendeve që pezullojnë vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s, shumica janë në Evropë. Tashmë janë dhe Italia, Gjermania, Franca, Spanja, Luksemburgu, Portugalia e Sllovenia që iu bashkohen Holandës, Danimarkës, Norvegjisë, Irlandës, Bullgarisë e Tajlandës.

Vendimi i pezullimit pason shqetësimet për rastet e embolisë pulmonare e të trombozës së venave te persona të vaksinuar. Pezullimi do të zgjasë derisa të kryhen hetime të plota se nuk ka asnjë lidhje mes tyre e vaksinës së “AstraZeneca”-s që ka mbërritur dhe në Shqipëri e po përdoret për vaksinimin e mësuesve.

Shqetësimet për “AstraZeneca”-n mbledhin sot ekspertët evropianë të OBSH-së. Komiteti i OBSH-së për sigurinë e vaksinave do të rianalizojë të dhënat, në kontakt të ngushtë me Agjencinë Europiane të Medikamenteve që të enjten do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme.

Por ndërkohë, Agjencia vazhdon të japë garanci se “përfitimet e vaksinës së “AstraZeneca”-s janë më të mëdha se rreziqet”. Në të njëjtën linjë shprehet dhe OBSH që nxit vendet të vazhdojnë të përdorin vaksinën kundër koronavirusit të gjigandit farmaceutik britaniko-suedez.