Tech

Jeni bezdisur nga “liket”, së shpejti e vendosni vetë nëse i doni apo jo!

Kompanitë e rrjeteve sociale, Facebook dhe Instagram njoftuan se po planifikojnë që të lejojnë përdoruesit të fshehin pëlqimet në një postim. Të dy platformat do t’i lejojnë përdoruesit të shmangin plotësisht butonin like (pëlqej) ose thjesht t’i mbajnë shifrat e pëlqimeve për vete, tha shefi i Instagram-it, Adam Mosseri.

“Njerëzve do t’ju mundësohet të vendosin nëse dëshirojnë t’i bëjnë publike pëlqimet apo jo”, tha Mosseri në një konferencë pë mediat.

Ai tha se pret që përdoruesit e rinj ta kundërshtojnë këtë masë, pasi ata zakonisht përpiqen të rrisin popullaritetin e tyre, duke treguar se sa njerëz i pëlqejnë postimet e tyre.

Instagram e ka testuar këtë opsion prej shumë kohësh tashmë.

“Në 2019, ne u lejuam një grup njerëzish që të fshehin pëlqimet, për të kuptuar nëse kjo zvogëlon disa presione kur poston në Instagram”, tha një zëdhënës i Facebook-ut, për AFP në muajin prill.

“Disa njerëz e panë si të dobishme, por disa ende dëshironin që të mund të gjurmonin kush është i famshëm”, tha Facebook, që ka në pronësi edhe rrjetin Instagram.

Gjatë testimit të këtij opsioni u dëshmua se disa njerëz postuan më shumë kur u hoq mundësia që ata të gjykohen nga përdoruesit tjerë, tha Mosseri.

Disa ekspertë thonë se kërkimi i madh për “pëlqime” mund të krijojë varësi dhe të ketë efekte negative, veçanërisht për të rinjtë dhe adoleshentët.