Bota Tech

Ju njohim me aplikacionin më të shkarkuar në Ukrainë për momentin!

Starlink, aplikacioni që u mundëson përdoruesve celular të aksesojnë shërbimin e internetit satelitor të SpaceX me të njëjtin emër, ishte aplikacioni më i shkarkuar në Ukrainë, duke arritur së fundmi vendin e parë. Aplikacioni është shkarkuar gati 100.000 herë në Ukrainë, me shkarkime globale të trefishuara në dy javët e fundit.

Starlink u bë i disponueshëm në Ukrainë disa ditë pasi Rusia nisi luftën, kur Ministri i transformimit digjital të vendit, Mykhailo Fedorov, iu lut Musk-ut përmes Twitter-it që t’i siguronte Ukrainës terminalet që mundësojnë shërbimin, një kërkesë që Musk e realizoi shpejt. Ndërprerjet e internetit kanë qenë një problem në rritje në Ukrainë që kur Rusia filloi pushtimin e saj tre javë më parë.

Ministria britanike e Mbrojtjes paralajmëroi javën e kaluar se Rusia “ndoshta” po synon infrastrukturën e komunikimit të Ukrainës, por qasja në internet mund të mbyllet gjithashtu për shkak të dëmtimit kolateral të infrastrukturës nga sulmet ruse. “Forbes” raportoi javën e kaluar se një nga ofruesit kryesorë të internetit të Ukrainës ishte hakuar disa herë, megjithëse është e paqartë nëse Rusia qëndron drejtpërdrejt pas këtyre sulmeve.

Së fundmi, miliarderi amerikan i teknologjisë, Elon Musk sfidoi presidentin rus Vladimir Putin në një ‘luftë’ kokë më kokë, duke sugjeruar që fituesi të vendosë për fatin e Ukrainës.

Unë sfidoj Vladimir Putin në një ndeshje të vetme në arte marciale. Në lojë është Ukraina.

Në një përgjigje të postuar në Twitter, Dmitry Rogozin, drejtor i përgjithshëm i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos, e quajti Musk një njeri të dobët dhe një djall të vogël në rusisht. Rikujtojmë se së fundmi mbikëqyrësi shtetëror i medias ruse, ‘Roskomnadzor’, ka bërë me dije se platforma Instagram është bllokuar për shkak të nxitjes kundër ushtarëve rusë. Lajmi vjen pasi kompania mëmë, Meta, ka njoftuar më herët se do t’i lejonte përdoruesit në disa vende të drejtonin thirrje kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe ushtarëve rusë.