Design Travel

Ju prezantojmë me kryeveprën e re arkitekturore në Katar!

“Katara Towers” është hoteli më i ri në kryeqytetin Doha të Katarit dhe është bashkëpunim i dy markave hotelesh, Fairmont dhe Raffles. Secili zë gjysmën e ndërtesës prej 300.000 metrash katrorë dhe ekspozon stilin e vet luksoz. Gjysma e hotelit në zotërim nga kompania Raffles, frymëzohet nga artet e bukura dhe në hollet e tij mbizotëron ngjyra e bardhë dhe dritat që rrotullohen në tavan.

Në dispozicion të klientëve është një kinema private, me ulëse prej kadifeje të kuqe, ku iu shërbehet ushqim i personalizuar. Hotelit sigurisht nuk mund t’i mungojnë as suitat luksoze dhe një nga më të mëdhatë është suita Raffles, e cila shtrihet në dy kate të hotelit dhe ka pishinën e saj private, ashensorin e brendshëm, sallonin e flokëve dhe madje edhe një hamam.

Bari “Blue Cigar”, është një nga ambientet më interesante të Raffles, me rafte librash të larta deri në tavan. Sapo hyjnë aty, vizitorët pyeten për pijen dhe autorin e tyre të preferuar. Menjëherë, stafi arrin të gjejë kopjen e një libri të rrallë nga ai autor specifik. Ekspertët e librave të rrallë nga e gjithë bota u dërguan në Katar për të ndërtuar këtë bibliotekë mahnitëse.

Gjysma tjetër e “Katara Tower” është në zotërim të kompanisë Fairmont. Sapo hyn në ambientet e tij, stili ndryshon krejtësisht. Koncepti i dizajnit të Fairmont frymëzohet nga jahtet. Dhomat elegante dhe të ngrohta me nuanca të bardha dhe blu, kanë një pamje fantastike nga Gjiri Persik.

Tematika detare duket në çdo detaj, nga llambadarët në formë guaskash te librat me fotografi oqeanesh dhe detesh. Tavolinat, muret dhe pllakat kanë forma klasike nga kultura islamike. Në barin elegant të katit të 33-të, xhami blu dhe i bardhë reflekton dritën e diellit dhe shkëlqimin e shkretëtirës. Dy nga suitat më të shtrenjta të Fairmont, Peregrine dhe Lanner, janë emëruar sipas racave të skifterëve të famshëm të Katarit.

“Katara Tower” u hap zyrtarisht për vizitorët në janar të këtij viti. Megjithatë, para kësaj, ishte në përdorim gjatë Kupës së Botës për zyrtarët e FIFA-s, si dhe anëtarët e familjes mbretërore të Katarit. Arkitektura e jashtme në formën e dy shpatave të kryqëzuar është dhe tipari më i spikatur i hotelit. Ky simbol është frymëzuar nga stema kombëtare e Katarit dhe mund të shihet kudo, duke filluar nga filxhanët e kafesë e deri te bizhuteritë, por kjo është hera e parë që shfaqet në formën e një ndërtese.