Në kalanë e Gjirokastrës do të zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar, nga 24 qershori deri më 1 korrik. Për këtë rikthim, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video promovuese të festivalit, në të cilin pritet të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.
Duke e cilësuar një lajm të bukur rikthimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, shefi i qeverisë vuri në dukje se Kalaja e Gjirokastrës është zbukuruar e gjallëruar si me magji nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e të gjithë krahinave shqiptare.
MIRËMËNGJES
dhe me lajmin e bukur të rikthimit të Festivalit Folklorik Kombëtar në Kalanë e Gjirokastrës së zbukuruar e gjallëruar si me magji nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e të gjithë krahinave shqiptare, ju uroj një të diel të paqtë!

Ky festival rikthehet pas tetë vitesh në Gjirokastër, hera e fundit ishte më 2015-ën. Krahas vlerave kombëtare e artistike, festivalet folklorike në vite janë lidhur me vetë jetën e qytetit të gurtë jugor e të banorëve të tij. Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në mjediset e kalasë së gurtë dhe që prej asaj kohe, ky festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.
Vitet ‘70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se një mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.
Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike e ku deri në edicionin e vitit 1988 janë dhënë çmime për grupet më të mira, por në ato më të fundit u konceptua ndarja e vlerësimeve për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.
Eshtë ngjarja më e rëndësishme dhe sofra më e madhe e trashëgimisë e kulturës shqiptare. Qëllim kryesor ka pasqyrimin e gjerë të gjinive të folklorit, krahas mbrojtjes e promovimit të vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike, të krijuara prej shekujsh.