Kryeministri Edi Rama ka vijuar reagimet në rrjetet sociale në lidhje me protestën që hyn sot në ditën e saj të 30-të, duke publikuar këtë herë të dhëna, që sipas tij, lidhen me një nga 13 organizatorët e saj.
Kreu i qeverisë shkruan se një prej firmëtarëve të protestës është person me precedentë penalë, duke renditur një sërë procedimesh ndër vite për vepra të ndryshme penale. Rama i referohet Edviol Kullurit, edhe pse në postimin e tij nuk ia përmend emrin.
Në postimin e tij, kryeministri shkruan:
“Njihuni me kontributin mbresëlënës për atdheun të njërit prej 13 flamurtarëve firmëtarë të protestës së bulevardit, ku sorrat dhe korbat i kanë marrë përfundimisht peng flamingot, nën maskën e “Shqipërisë së Re”:
I proceduar:
– 2014 – Rrahje në bashkëpunim, Tiranë
– 2016 – Vjedhje energjie, Tiranë
– 2016 – Rrahje në dëm të një shtetaseje, Tiranë
– 2017 – Rrahje në grup, Durrës
– 2019 – Pjesëmarrje në protestë të paligjshme, pengim qarkullimi I automjeteve, pengim i IMT per prishjen e ndertimit te paligjshëm, Vlorë
– 2020 – Kanosje & plagosje e lehtë, Vlorë
– 2021 – Kanosje ndaj një shtetaseje grua, Vlorë
– 2022 – Dhunë në familje ndaj xhaxhait të tij, Vlorë”.