Rusia kërcënoi se do të nisë një valë të re “sulmesh sistematike” ndaj Kievit, disa ditë pas një prej bombardimeve më të mëdha në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, sulmet e reja do të synojnë “qendrat e vendimmarrjes”, postet komanduese, si edhe uzinat e prodhimit të dronëve në qytet. Moska u ka bërë thirrje shtetasve të huaj dhe diplomatëve që të largohen nga Kievi “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe ka paralajmëruar qytetarët të shmangin ndërtesat administrative dhe ushtarake.
Nga ana tjetër, Ukraina e ka cilësuar këtë retorikë si “shantazh të paturpshëm” dhe i ka bërë thirrje aleatëve të rrisin presionin ndaj Rusisë. Autoritetet ukrainase theksojnë se sulmet ndaj Kievit nuk kanë ndalur prej muajsh dhe se situata e sigurisë mbetet e rëndë.
Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, sulmet e fundit ruse kanë shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur në Kiev dhe zona të tjera.
Ndërkohë, Moska i justifikon këto sulme si përgjigje ndaj një goditjeje të supozuar ukrainase në një konvikt studentor në Starobilsk, ku pretendohet se kanë humbur jetën 21 persona.