Rajoni

Dorëhiqet zv.kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut/ Kryeministri konfirmoi largimin e Arben Fetait!

Arben Fetai njoftoi dorëheqjen nga posti i zv.kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për Qeverisjen e Mirë. Përmes një postimi në mediat sociale, politikani shqiptar nga radhët e VLEN, u shpreh se vendimi i tij është menduar mirë.

I dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jo falenderues.

A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo.  Kam punuar me përkushtim maksimal.

Në rrethanat aktuale vlerësoj se nuk ekzistojnë më kushtet e nevojshme për ta ushtruar këtë detyrë me efektivitetin e duhur.

Dorëheqja e zv.kryeministrit shqiptar u konfirmua edhe nga kryeministri maqedonas. Hristijan Mickoski deklaroi se pasuesi i Fetait do të vendoset pas konsultimeve me partnerët e koalicionit, ndërsa shtoi se brenda muajit do të bëhet rikonfigurimi i qeverisë.

VLEN, koalicioni shqiptar në bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE/në vlerësoi Arben Fetain për kontributin e deritanishëm. Mediat në shtetin fqinj kanë raportuar se prej disa muajsh, ai nuk po merrte pjesë në mbledhjet e qeverisë.