Celebrities Music

Lil Nas X bëri një prezantim të pazakontë të ‘bebit’ të tij!

Lil Nas X po përgatitet për të ‘lindur’ fëmijën e tij, “Montero”. Reperi i hitit “Old Town Road” i ka organizuar vetë vetes së tij në festë të vogël për të mirëpritur ‘bebin’. Këtë herë Lil Nas X ka ardhur me një ide shumë më ndryshe dhe që askush nuk e priste apo që nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë.

Para disa ditësh ai tregoi barkun e tij të rrubullakosur ndërkohë që dha një njoftim përmes rrjeteve sociale. Nëpërmjet një video të postuar në TikTok ai njoftoi datën e laçimit të albumit të tij. Por duket se ai kishte zgjedhur një mënyrë unike për të bërë lançimin, pasi në video-n që postoi ai shfaqet me barkun e tij ‘si shtatzënë’ teksa shkruante se:

Bebi “Montero” do të lançohet më 17 Shtator 2021.

Që nga ajo ditë ai nuk ka ndaluar së postuari foto dhe video me barkun e rrubullakosur duke treguar sesa i emocionuar që është teksa pret që data e lançimit të albumit të tij të afrohet. Por këtë herë ai zgjodhi që t’i vendoste kapakun çdo gjëje teksa i organizoi edhe festën e mirëpritjes së bebit.

Në postimin e tij në Instagram reperi 22-vjeçar ka treguar pamje nga festa që ai kishte organizuar por që asnjë nga mysafirët nuk u shfaq. Pavarësisht se miqtë e tij ku përfshihen Doja Cat, Elton John dhe Megan Thee Stallion kishin dërguar dhurata. Këta artistë jo pa qëllim janë përmendur, pasi ata janë bashkëpunëtorë në albumin e tij të shumpritur që pritet të lançohet sot.

Ndërkohë që në videon tjetër pak minuta më vonë, reperi shfaqet duke ecur në festën e zbrazët pa asnjë të ftuar. Në videon e postuar ai shkroi se:

Kalova orë të tëra për festën e bebit tim dhe askush nuk u shfaq.

Lil Nas X ka pasur një javë shumë të ngarkuar para publikimit të albumit të tij pasi reperi performoi në ‘MTV Video Music Awards’  dhe bëri një debutim mbreslënës dhe mjaft të veçantë në ‘Met Gala 2021’ ku ai nuk u shfaq me një veshje por me tre.