Aktualitet Politikë

Lirohet Saimir Tahiri, do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi

Lirohet ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Gjykata e Elbasanit vendosi që Tahiri ta kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Matilda Fetahu.

Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Për ish-ministrin janë dy ekspertiza mjeko-ligjore, që arsyetojnë se përse ai nuk mund të qëndrojë në burg për pjesën e mbetur të dënimit.

Gazetarja Anila Hoxha mëson se në njërën prej tyre, thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore. Ndërsa në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte.

Tahiri u dënua me 3 vjet e katër muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi gjatë kohës në krye të dikasterit të rendit, Habilajt kultivuan kanabis sativa.

Por, për të ulur dënimin dhe për të fituar lirinë, Tahiri ka futur në lojë të gjitha kartat.

Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK-u, shërbimi i provës dhe i burgosuri VIP iu drejtuan Gjykatës së Elbasanit.

Një kleçkë procedurale atëherë e bindi Saimir Tahirin se deri në datën 4 shkurt 2022 kur u vendos që ai të shkonte në qeli, koha po ecte për të si për një të dënuar nën shërbim prove.

Ish-ministri i tha Gjykatës së Elbasanit se SPAK harroi të nxirrte një urdhër të ekzekutimit të dënimit pavarësisht se ai u paraqit pranë shërbimit të provës.

Shërbimi i provës këmbëngulte se ish-zyrtari u paraqit vetëm njëherë dhe u refuzua pasi prokuroria nuk kishte sjellë urdhër.

SPAK insistoi se vendimi nuk ishte i formës së prerë dhe nuk kishte shkak ligjor pse të nxirrte urdhër ekzekutimi.