Rajoni

Marrëveshja për targat në veri të Kosovës, Vuçiç: Fitore e vogël taktike!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se marrëveshja në Bruksel për targat është një fitore e vogël taktike që do t’i çojë në presion edhe më të madh. Ai bëri të ditur se mbeten targat KM ndërsa vazhdojnë negociatat. Por, nuk do të ketë targa të reja KM. Më tej vuri në dukje se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Vuçiç përsëriti se Serbia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe se zyrtarët serbë nuk duan të diskutojnë për këtë.

Ne nuk e duam Kosovën në OKB dhe çfarë do të bëni atëherë, na bombardoni, na kërcënoni me sanksione. Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën.

Edhe Lista Serbe e përshëndeti marrëveshjen e arritur dje në Bruksel dhe deklaroi se targat KM mbeten në përdorim, por se momentalisht nuk do të lëshohen të reja. Po ashtu, akordi Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e BE-së u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshjen e përshëndeti edhe opozita në Kosovë, ndërsa kërkoi më shumë transparencë për dialogun.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, tha se “shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial të situatës në veriun e vendit”.

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës:

Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen joserioze dhe paaftësinë tuaj [Albin Kurtit] përballë përgjegjësive shtetërore që keni me vendin dhe Kosovën. Domosdo, duhet transparencë për dialogun para Kuvendit, qytetarëve të Kosovës dhe jo deklarata kontradiktore, jo qasje selektive, jo injorim ndaj neve dhe qytetarëve dhe ndaj partnerëve strategjikë, mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara.

Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se e mirëpret marrëveshjen që sipas tij, shmangu rrezikun për përshkallëzim të situatës në veri.

Sfida që e pret Kosovën është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave.