Rajoni

Masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës, Albin Kurti: Të padrejta!

“Të padrejta” i cilëson kryeministri Albin Kurti masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës, për mosmarrjen e hapave të kërkuar për zgjidhjen e krizës në veri. Gjatë përurimit të parkut të ri në fshatin Davidoc të Shtimes, Kurti tha se “shteti i Kosovës nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë”.

Këto nuk janë sanksione, është e vërtetë që janë masa të përkohshme, por të padrejta, për shkak se Kosova e qeveria e saj janë shteti dhe ekzekutivi më demokratik pro-europian e progresist.

Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik e pro-Rusisë, i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku ka shkaktuar katër luftëra.

Sido të jetë, ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë. Ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra, që mbështetja e ndihma europiane të jenë të plota. Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj.

Partitë opozitare të Kosovës reaguan pas hyrjes në fuqi të masave të Bashkimit Europian. Ato kërkojnë llogari nga kryeministri Kurti, ndërsa më i ashpër në reagim ishte kryetari i AAK-së. Ramush Haradinaj kërkon mocion për rrëzimin e qeverisë.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se është “koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”.

Albin Kurti dhe politika e tij, nuk e bëjnë dot Kosovën shtet europian.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, u shpreh se si pasojë e qeverisjes Kurti, Kosova është sanksionuar nga aleatët.

E përçarë nga brenda dhe e sanksionuar nga aleatët, ky është rezultati i qeverisjes së Albin Kurtit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,  theksoi se mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, është interes kombëtar.

Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi.

Sipas BE-së, masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë:

Pezullimi i përkohshëm i punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Kosova nuk do të marrë ftesë në takime të nivelit të lartë.

Pezullimi i vizitave, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës, në kuadër të kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ndalimi i programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).