Sociale

Mbyllja e kolegjit turk, reagon Ministria e Arsimit: Bënë mësim në godinë pa standarde

Pas vendimit për mbylljen e kolegjit privat turk ‘Mehmet Akif’, ministria e Arsimit ka sqaruar publikun edhe për arsyet dhe shkaqet e marrjes së këtij vendimi. Në një reagim zyrtar, ministria e Arsimit Evis Kushi, thotë se ky vendim ka ardhur si rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licensës në fjalë.

‘Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.

Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.’- sqaron ministria e Arsimit

 

Sipas Kushit, ministria e Arsimit, në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve.

‘Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.’- nënvizon ministria e Arsimit.

Duke ju referuar publikimeve, se mbyllja e shkollës erdhi pas kërkesës së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, Ministria e Arsimit dhe Sportit hedh poshtë këto spekulime, duke nënvizuar se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje rreth shkaqeve të këtij vendimi.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.

Kujtojmë se mbyllja e insititucioneve arsimore të themeluar nga organizata e Gylen ka qenë edhe kërkesë e Erdogan ndaj qeverisë.