Aktualitet

Më shumë aksidente rrugore/Muajin e kaluar u dyfishuan rastet krahasuar me janarin 2023!

229 të plagosur e të vrarë në rrugët shqiptare vetëm në janar të këtij viti.  Krahasuar me janarin 2023, rezulton se aksidentet rrugore janë dyfishuar nga 84 në 162. Si shkak kryesor, veçohet sjellja e drejtuesve të mjeteve, pjesa më e madhe e të cilëve bëjnë pjesë në grupmoshën nga 25 në 34 vjeç. Eksperti Arben Luzi shprehet:

25-35 vjeç është grupmosha e cila rrit vetëbesimin në drejtimin e mjetit, i duket vetja më e aftë, e merr më me lehtësi. Pastaj është edhe mosha që ka të tjera veprime siç është përdorimi i pijeve alkoolike apo i të tjera substancave të jashtëligjshme dhe që rrisin riskun për aksidente rrugore.

Por, krahas sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ndër shkaktarët e aksidenteve rrugore, eksperti Luzi liston edhe sinjalistikën rrugore, për të cilën thotë se “ka nevojë për përmirësim”.

Për mua, rrugë problematike, që është njollë e errët për aksidente është rruga e vjetër Kamëz-Fushë Krujë. Po ta shikosh këtë aks, duket sikur është i kompletuar me sinjalistikën rrugore, por sinjalizimet rrugore sipas vendimit të Këshillit të Ministrave vendosen 150 m para pikës së rrezikut. Pra, nuk është vendosja e një sinjalizimi 60 km/h në një vend të dukshëm dhe gjithë kjo rrugë presupozohet se është me 60, kjo duhet të përsëritet pas çdo kryqëzimi.

Edhe këmbësorët bëhen shkak për aksidente rrugore. Në janar 2024, 16% e rasteve të tilla kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. E për këtë arsye, Policia Rrugore ka nisur aplikimin e gjobave edhe për këmbësorët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Këmbësorët po ndëshkohen e besoj se kjo ka për të sjellë një edukatë tjetër edhe në lidhje me këmbësorin. Në lidhje me zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, edukata qytetare lë shumë për të dëshiruar e po të shikosh, pjesa më e madhe e aksidenteve është pjesë e kësaj edukate qytetare.

Tirana dhe Lezha janë dy qarqet me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore gjatë muajit të kaluar në vendin tonë. E ndërsa Tirana kryeson ndjeshëm krahasuar me Lezhën, më pas vijnë Durrësi, Elbasani e Fieri.

TABELA E AKSIDENTEVE RRUGORE SIPAS QARQEVE, JANAR 2024:

Tiranë 66

Lezhë  17

Durrës  14

Elbasan  12

Fier 12

Vlorë 11

Korçë 9

Gjirokastër 7

Shkodër  5

Dibër  5

Kukës  2

Berat  2/Top Channel