Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian sot diskutojnë dialogun Kosovë- Serbi, si dhe tensionet e fundit mes dy vendeve. Mësohet se kryediplomatët do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth bisedimeve, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”. Pritet që para tyre të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell dhe më pas të vazhdojnë diskutimet mbi temën.
Por, nuk priten konkluzione apo vendime formale, përveç diskutimit të masave që mund të marrë blloku europian për t’i bindur palët të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve. Bashkimi Europian ka pritur të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrell pati me Kurtin e Vuçiçin në Bruksel, javën e kaluar. Liderët nuk u takuan mes tyre, por secili vetëm me Borrellin.
Nga Kosova dhe Serbia, komuniteti ndërkombëtar kërkon t’i ulin urgjentisht tensionet e që Prishtina të organizojë zgjedhjet e reja. Situata në Kosovë dhe dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja do të jenë temë diskutimi edhe në disa takime të tjera të nivelit të lartë në BE, këtë javë.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian në Drejtorinë për Zgjerimin, Jan Koopman, nesër do të marrin pjesë në një diskutim në Parlamentin Europian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Ky diskutim do të zhvillohet në Komisionin për Politikën e Jashtme.
Deri tani janë anuluar disa takime të përbashkëta mes Komisionit Europian dhe Kosovës, që ekzistojnë në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Situata në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë pritet të jenë temë diskutimi edhe në takimin e Këshillit Europian, pra në samitin e liderëve të vendeve anëtare. Sipas diplomatëve të BE-së, diçka e tillë tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin e Bllokut për situatën në Kosovë e për raportet mes Prishtinës e Beogradit.
Nga këto takime pritet që Kosovës dhe Serbisë t’iu bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve e kthimin në dialog. Por, dy vendeve pritet edhe t’iu tërhiqet vërejtja për pasojat që mund të kenë, nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.