Aktualitet

COVID-19, Manastirliu: “Brenda prillit do të vijnë edhe 20 mijë doza të Pfizer-it”

Sot në ditën e katërt të vaksinimit masiv kundër koronavirusit, Ministrja e Shëndetësisë dha të tjera detaje mbi ecurinë e procesit. Ogerta Manastirliu bëri të ditur se deri më 19 prill, priten 20 mijë doza të vaksinës së kompanive “Pfizer-BioNTech”. Prej kësaj sasie, 7 mijë të parat do të mbërrijnë në javën e parë të prillit.

Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para, e më tej deri në datë 19 prill 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave Sinovac. Të gjithë ekipet tona të vaksinatorëve po bëjnë një punë shumë të mirë.

Fakti që për tre ditë radhazi kemi kryer mbi 50 mijë vaksinime tregon që kapacitetet tona janë të mjaftueshme. Por sigurisht jemi përgatitur që të rrisim numrin e vaksinimeve nëpërmjet kapaciteteve tona të burimeve njerëzore, të cilat tashmë i kemi trajnuar dhe i kemi futur edhe në forcë.

Kujtojmë që ditën e diel nisi vaksinimi masiv në të gjithë vendin për moshat mbi 70 vjeç, ndërsa nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 119,321 vaksinime.