Bota Tech

Montana, shteti i parë amerikan që ndalon me ligj TikTok-un!

Nga paralajmërimet në veprime konkrete, Montana bëhet i pari shtet amerikan që zyrtarisht ndalon aplikacionin kinez të videove të shkurtra, TikTok. Guvernatori i Montanas, Greg Gianforte, firmosi dokumentin që kthehet në ligj të detyrueshëm për t’u zbatuar. Pas nënshkrimit u shpreh:

Për të mbrojtur banorët e Montanas, të dhënat e tyre personale dhe private nga Partia Komuniste Kineze e kam ndaluar TikTok-un në Montana.

Vendimi i ri u ndalon kompanive ofrimin e këtij aplikacioni nga 1 janari i vitit të ardhshëm, si dhe e parandalon TikTok-un nga operimi si biznes në këtë shtet amerikan. Për çdo ditë që kjo platformë do të jetë e aksesueshme, pas fuqizimit të ligjit, ofruesit e aplikacionit do të duhet të paguajnë një gjobë prej 10 mijë dollarësh.

Përdoruesit nuk do të gjobiten dhe ata që e kanë përdorur aplikacionin në të kaluarën nuk do të preken nga vendimi. Ndërkaq, TikTok-u ende nuk ka reaguar ndaj këtij ndryshimi ligjor.

Në ditët në vijim pritet të ketë ankesa ose padi që sfidojnë vendimin në fjalë dhe kjo me arsyetimet e lirisë së shprehjes. Në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, deri tani TikTok-u është ndaluar në pajisjet qeveritare të Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të gjitha këto shtete kanë përmendur shqetësimet në lidhje me sigurinë kibernetike, si arsye për vendosjen e ndalesës. Aplikacioni ka më shumë se një miliard përdorues në të gjithë botën e gjithashtu përdoret gjerësisht në SHBA dhe Europë.

Ekzistojnë shqetësime se autoritetet kineze dhe shërbimet sekrete mund ta përdorin aplikacionin për të mbledhur informacion nga përdoruesit e të përhapin më pas ndikimin e tyre. Por, kompania në anën tjetër i ka hedhur poshtë këto sugjerime.