Aktualitet

Moti i keq rrit rrezikun e aksidenteve, Policia Rrugore apelon për kujdes!

Policia e Shtetit njofton se ka rritur praninë e shërbimeve për të parandaluar aksidentet rrugore si pasojë e motit të keq. Për shkak të motit të keq, në disa segmente rrugore ka prezencë të ujit dhe në këto kushte mund të rritet rreziku i përfshirjes në ngjarje rrugore.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë, në akset rrugore, duke monitoruar qarkullimin nëpërmjet makinave inteligjente, radarëve automatikë, mjeteve të tjera logjistike, si edhe me mjete të paloguara.

Policia Rrugore apelon:

Të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit e të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit. Drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Policisë Rrugore e të telefonojnë në numrin 112, për problematikat që mund të hasin gjatë udhëtimit të vështirësuar për shkak të motit të keq.

Ndërsa në qarqet Shkodër dhe Lezhë është zgjeruar harta e përmbytjeve nga shirat e fundit, sot në vendin tonë do të depërtojnë masa ajrore të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura si dhe me alternime të herëpas’hershme kthjellimesh. Pasdite priten kthjellime, ndërsa temperaturat do të vijnë në ulje.

Në Shkodër janë 3 mijë e 20 hektarë të përmbytura, 250 më shumë krahasuar me një ditë më parë. Prani uji ka në 155 banesa, oborre e stalla.
Kryebashkiaku Bardh Spahia kërkoi të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore. Ana e Malit e Dajçi, dy njësitë më të prekura.

Në qarkun Lezhë, 570 hektarë tokë janë nën ujë dhe pati probleme në Milot, në Rrugën e Kombit, pasi ujërat vërshuan pranë dy banesave. Reshjet e dendura të shiut sot përfshinë zonat e Kurbinit e Krujës, duke bërë që të bllokohet nënkalimi në Fushë-Mamurras, pjesë e Milot-Thumanë. Në Fushë-Mamurras, nënkalimi mbetet problematik nga bllokimi i zgarave dhe depërtimi i ujit.