Aktualitet

Operacion antidrogë dhe kundër lojërave të fatit në Lezhë, 7 të arrestuar!

Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Perimetri 2”, i zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Laçit.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar 7 shtetas, ndërsa janë sekuestruar lëndë narkotike, 6 automjete, telefona celularë dhe 7 pajisje elektronike që përdoreshin për lojëra fati.

Sipas Policisë, hetimet kanë zgjatur disa muaj dhe janë kryer me metoda speciale hetimore, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për persona që ushtronin aktivitet kriminal në shpërndarjen e drogës në doza të vogla në zona të ndryshme të Laçit, madje në disa raste edhe pranë shkollave.

Burime zyrtare bënë me dije se operacioni u finalizuar nga sektori për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni i Mbështetjes Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, ndalimi i 4 shtetasve dhe arrestimi në flagrancë i 2 të tjerëve, të gjithë banues në Laç, Kurbin, si të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e ndanin në doza dhe e shitnin në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.

Gjithashtu, gjatë operacionit, u zbulua 1 lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast, u arrestua pronari i lokalit, babai i 2 prej shtetasve të arrestuar, i cili nuk e kishte regjistruar subjektin dhe punonjësit, në organet kompetente.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.